Gazetarja turke e luftës në Bosnje e Kosovë flet për përvojat e saj nga raportimi nga fronti

Serif Turgut, një nga reporteret e pakta turke që mbuloi luftën në Bosnje dhe Hercegovinë, thotë se të qenit dëshmitare e konfliktit dhe tragjedive të tij i ndryshoi përgjithmonë jetën dhe karrierën.

 

“Pas një farë kohe, kuptova se nga qyteti i rrethuar i Sarajevës mund të largohesha vetëm e vdekur ose kur të mbaronte lufta.”

Kështu kujton Serif Turgut, një nga reporterët e pakta turke të luftës, teksa përshkruan ndjenjat e saj si reportere gjatë luftës në Bosnjë në vitet 1990.

Turgut, tani 54 vjeçe, shkoi të raportonte nga Sarajeva vetëm për dy javë pas fillimit të luftës.

Por më pas ajo qëndroi aty derisa lufta në Bosnjë përfundoi në 1995, duke mbuluar konfliktin tre-vjeçar për mediat turke dhe ato ndërkombëtare.

“Ishte një traumë shumë e madhe. Sa herë jam larg Bosnjës, dua të kthehem në Bosnjë. Që nga lufta e Bosnjës, kam qenë gjithmonë në zona konflikti”, thotë Turgut.

Përveç luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, ajo ka raportuar mbi luftërat në Kroaci, Kosovë, Çeçeni, Algjeri, Saharanë Perëndimore dhe Irak.

Përveç karrierës së saj në zonat e konfliktit, ajo fillimisht ndoqi Universitetin Stanford në SHBA me një bursë “Knight Fellowship Jourlalism”.

Ajo më pas mori dy diploma master, një në Universitetin George Washington për politikë ndërkombëtare dhe në Harvard për administratë publike.

Megjithatë, kur filloi punë si gazetare, ajo përfundoi në zona lufte dhe do ta bënte përsëri këtë gjë si zyrtare e Kombeve të Basgkuara për çështjet publike dhe të medias, duke shërbyer në Liberi, Kenia dhe Somali.

“Shumë nga kolegët e mi kishin të njëjtën përvojë. Pas luftës në Bosnjë, shumë pak prej nesh arritëm t’i ktheheshim jetëve tona normale. Kemi humbur shumë njerëz në luftëra të tjera ose për shkak të sëmundjeve, dhe disa prej nesh janë akoma në terren”, vëren Turgut.

E tronditur nga tragjeditë që ajo pa

“Disa njerëz thjesht nuk bëjnë dot asgjë tjetër, për shkak të pasionit të tyre për të shkruar dhe për të mësuar gjëra të reja. Kjo i ka çuar ata dreq karrierave që kanë ndjekur”, thotë Turgut, duke shtuar se kjo ishte edhe arsyeja pse ajo vetë erdhi në Bosnje.

“Kur pashë tragjeditë në Bosnjë, veçanërisht Kampin Omarska (një kamp famëkeq burgimi i drejtuar nga serbët e Bosnjës), vendosa të vija në Bosnjë për dy javë, por pastaj qëndrova deri në fund të luftës”, vazhdon Turgut.

Pasi vendosi të shkonte në Bosnjë, e vetmja mënyrë për ta bërë këtë ishte nëpërmjet Zagrebit në Kroaci. Atje ajo donte të shkonte me avion për në Sarajevë, por nuk kishte para për biletën.

“Fillimisht shkova në qytetin bregdetar kroat të Splitit me autobus dhe 90 për qind e njerëzve në te ishin ushtarë kroatë. Në fillim, ata nuk donin që të shkoja me ta, por më pas më lejuan të udhëtoja duke qëndruar në këmbë gjatë gjithë udhëtimit, sepse nuk kishte vende të lira”, thotë ajo.

“Më vonë, u takova me disa kolegë dhe shkuam në Mostar, në Bosnjën jugore, dhe më vonë në Sarajevë”, shton Turgut, duke shpjeguar udhëtimin e saj të ngatërruar për në Sarajevë.

Turgut ishte regjistruar që të shkruante për të përditshmen turke Milliyet, por kur vendosi të qëndronte më gjatë, ajo kuptoi se kishte nevojë për më shumë punë për arsye financiare.

“Arrita marrëveshje me shtëpi mediatike europiane falë ndihmës së miqve të mi që punonin si gazetarë të pavarur. Gjatë luftës, raportova për Deutsche Welle, Radio Holandën, BBC-në turke dhe BBC Azerbajxhanin. Më vonë, lajmet e mia u dëgjuan në Turqi dhe fillova punë për kanalin televiziv turk ATV”, shpjegon Turgut.

Ndërsa rrëfen ditët e saj në Sarajevë, ajo kujton gjithashtu bëmat dhe guximin e madh të disa prej kolegëve të saj.

“Kisha një koleg spanjoll. Quhej Miguel Gil Moreno. Po shkonim në frontet e luftës bashkë, me motorin e tij, duke bërë zigzage që të mos na qëllonin snajperët. Më vonë, ai transportoi shumë njerëz të plagosur në spital me makinën e tij të vjetër, e cila nuk kishte dritare”, thotë Turgut.

“Më vonë, ai shkoi në Kosovë dhe Sierra Leone. Ai u vra atje me një tjetër koleg timin, Kurt Schork, i cili ishte përfaqësuesi i Reuters në Sarajevë për vite me radhë. Vite më vonë, shkova në Sierra Leone kur isha duke punuar në Liberi. Gjeta vendin ku ata u qëlluan për vdekje. Ato që kishin mbetur nga makina e tyre ishin ende atje”, thotë Turgut.

Turgut e përshkruan luftën në Bosnjë si më të tmerrshmen nga të gjitha luftërat dhe konfliktet që ajo ka mbuluar gjatë karrierës së saj.

“Kur shikon vdekjen e parë, tronditesh. Por më vonë, në vende si Sarajeva e kohës së luftës, kjo gjë u bë një normalitet i ri”, vazhdon ajo.

Pavarësisht kësaj, Turgutin vazhdojnë ta përndjekin ende disa nga momentet tragjike që ajo dëshmoi.

“Gjatë kohës së luftës, në Sarajevë ishte shumë e vështirë të gjeje arkivole. Kur isha në një morg, pashë fëmijë të vrarë. Ai që bënte arkivolet më tha se nuk kishte dru për të bërë arkivolet e tyre. Ai po vidhte bankat e shkollës për të bërë arkivole për fëmijët. Ata nuk e kishin më një jetë, kështu që të paktën duhet të kishin arkivole”, kujton ajo.

Një tjetër moment që ajo nuk do ta harrojë kurrë ishte kur dëshmoi pasojat e masakrës masive të boshnjakëve në qytetin e Srebrenicës në korrik 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem pasi hynë në enklavën e rrethuar boshnjake.

Të shihje qytetin e pushtuar ishte një përvojë e tmerrshme, e llahtarshme.

“Pasi ajo u pushtua, ne nuk qemë në gjendje të hynim në Srebrenicë për dy javë. Kur mbërritëm atje, nuk mund të shihnim asnjë. Vendet ku boshnjakët ishin mbajtur të burgosur ishin totalisht bosh”, kujton ajo.

“Por kur kontrolluam një depo, kuptuam se çfarë kishte ndodhur. Ngado kishte gjak, lëkurë njeriu nëpër mure dhe dyshemeja ishte e mbuluar me flokë dhe dhëmbë njerëzish”, shpjegon ajo, duke u dridhur nga gjithë ky brutalitet.

Nuk është e lehtë të jesh grua – ose të jesh turke

Turgut fitoi disa nofka heroike gjatë karrierës së saj. Ajo u quajt gjithashtu një “Engjëll lufte” për shkak të Luftës” për shkak të ndihmës që ajo dha. Për shembull, ajo kontaktoi me telefon me refugjatë nga Kosova në Turqi, duke u dhënë atyre informacione për të dashurit e tyre që kishin qëndruar në Kosovë.

Por të punosh si reportere në një luftë nuk ishte aspak e lehtë. “Ambienti në luftëra është tepër i mbizotëruar nga meshkujt dhe egoja e burrave që kanë një armë është shumë e lartë. Prandaj kur je një reporterë grua duhet të jesh shumë e ashpër. Duhet të mallkosh më mirë sesa ata, kur është e nevojshme, ndërsa punon në një mjedis të tillë”, thotë Turgut.

“Grave reporterë thjesht u vendosin pseudonim në vende të dominuara nga meshkujt. Njerëzit më quanin heroinë ose një vajzë të gjorë, por unë nuk jam as heroinë dhe as një vajzë e gjorë”, shton ajo.

Njohja dhe mësimi i kulturës së vendit mund të të shpëtojë jetën gjatë luftës teksa punon si gazetare.

“Të punosh si gazetare turke në Ballkan ishte njësoj”, thotë ajo.

“Më kanë vënë pistoletën në kokë dhe më kanë qëlluar shumë herë me qytë pushke vetëm sepse isha turke. Ushtarët serbë gjithmonë thoshin “1389” (data e një beteje të famshme midis Serbisë dhe Perandorisë Osmane) kur kërkoja ujë ose kur thosha “mirëmëngjes”, shton Turgut.

Edhe pse u diskriminua se ishte grua dhe se ishte turke, ajo kurrë nuk u dorëzua.

“Një autokolonë po shkonte në qytetin e rrethuar të Gorazdes dhe sipas një marrëveshjeje të Kombeve të Bashkuara, autokolona nuk do të ndalej gjatë gjithë udhëtimit. Edhe gazetarët u lejuan t’i bashkoheshin asaj. Ne u regjistruam, por kur shkuam atje, një kolonel francez nuk më lejoi t’i bashkohesha autokolonës. Kur e pyeta pse, ai më tha se ishte për shkak të mosmarrëveshjeve historike midis turqve dhe serbëve”, thotë Turgut.

Ajo nuk pranoi ta linin aty. “Kundërshtova dhe u ankova. Kur ata e panë që nuk do ta pranoja vendimin, një major më kërkoi t’i kërkoja ndjesë kolonelit si kusht për t’i bashkuar autokolonës. Nuk kërkova ndjesë. Madje, i shkrova një letër Selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në lidhje me këtë diskriminim. Më vonë, i njëjti major më çoi në Gorazde me disa reporterë të tjerë, por gjatë kthimit ata përsëri nuk më lejuan t’i bashkohesha autokolonës.”

Turgut thotë se ajo më pas shkroi edhe një letër tjetër dhe këtë herë OKB-ja i rregulloi gjërat që atë ta çonin me një automjet të blinduar në Sarajevë.

Turgut iu desh të shkëputej për shkak të disa çështjeve familjare dhe problemeve shëndetësore, të cilat u përkeqësuan nga kushtet e luftës.

Por sot ajo është përsëri gati të shkojë në një tjetër zonë lufte. “U bë kohë që jam në Turqi për shkak të sëmundjes së mamasë time. Pastaj edhe gjendja ime shëndetësore nuk ishte e mirë. Por po e marr veten dhe ndërkohë po përfundoj disa punë dhe libra. Sapo të shërohem, kam në plan të shkoj në Jemen ose Sudan”, përfundon ajo. / Ballkan Insight