Gashi: Prezenca e gazetarëve është siguri për të gjithë

Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com, teksa ka folur për zhvillimet në komunat në veri të Kosovës ka thënë se prezenca e gazetarëve është siguri për të gjithë qytetarët.

Gashi ka thënë se sot gjatë ditës gazetarët kanë qenë cak i protestuesve.

“Prezenca e gazetarëve të huaj dhe shqiptarë është duke e penguar dikë për ta treguar të vertetën e cila ndodh atje. Kemi pasur sot tërë ditën lajme të rreme. Synohet që në vendet ku nuk ka prezencë të mediave të krijojnë situata ku raportohet për dhunë të tepruar. Ajo që duhet të jetë mesazh për komunitetin atje dhe për këta njerëz është që prezenca e gazetarëve është siguri për komunitetin”- ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se disa nga protestuesit mbajnë kapela të zeza dhe se këta persona janë më të dhunshmit që janë paraqitur këto ditë.

“Shumica e këtyre njerëzve mbajnë një kapelë të zezë që kanë një shenjë të ‘Nike’. Këta janë edhe njerëzit më të dhunshëm që janë paraqitur këto ditë, me një mesazh të qartë gjatë ditës së sotme me qenë cak gazetarët sepse këta njerëz janë duke dashtë me manipulu të vërtetën”- ka thënë Gashi.

Mediat sot kanë raportuar se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka arritur një marrëveshje me protestuesit për tërheqje të trupave dhe lirim të të burgosurve që u arrestuan dje si të dyshuar për sulmet në Zveçan.

Por nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës si dhe nga misioni i KFOR-it e kanë mohuar një gjë të tillë.

Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë.

Serbë lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Gjatë së hënës, protestuesit serb u përplasën me ushtarë të KFOR-it. Misioni i NATO-s në Kosovë konfirmoi se tre ushtarë u plagosën nga arma e zjarrit ndërsa 30 të tjerë janë lënduar.

Sot në Leposaviq disa vetura të mediave janë demoluar nga protestuesit.