Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Partitë politike s'kanë ide si duhet bërë Vetting-u në drejtësi

Kryeredaktori i KALLXO.com dhe autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi tha se partitë politike në Kosovë nuk e kanë një ide të qartë se si duhet bërë Vetting-u në drejtësi, edhe pse e përmendin në çdo palë zgjedhje.

“Asnjëra prej partive politike nuk e kanë të qartë, a duan me pasë saktë Vetting-un dhe qysh dëshirojnë me bë. Unë e kam kundërshtuar njëherë sepse kam besuar në mekanizma vetërregullues të KGJK-së dhe KPK-së, mirëpo jam bind që ky sistem nuk mundet me u rregullu pa u kthy në pikën zero. Për shkak të ndërtimit të standardeve që ata i kanë krijuar dhe s’janë të mira”, tha Gashi në “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, ka pasur raportime të shumta për punën e prokurorisë dhe nuk është marrë asnjë masë ndëshkuese.

“Ata kanë ndërtuar sistem që prokurori guxon me i thanë dikujt: shko merru vesh me palën, merrja do pare dhe kthehu te unë me pranim të marrëveshjes së fajësisë. I kam raportu krejt dhe me kanë i incizuar krejt ky send dhe ai me vazhdu me punu, kjo neve na tregon që ne kemi një mungesë të vullnetit që ai me ia vendos pikën në sistemin prokurorial”, tha më tej Gashi.

 

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në janar të vitit 2019 kishte transmetuar pamje nga kamerat e fshehura në ambientet e punës së prokurorit Ramiz Buzhala në Gjakovë.

Prokurori është filmuar gjatë një takimi me familjarë të Mentor Ramadanit, një qytetari nga Ferizaj, i cili është lënduar në një aksident në punë.

Gjatë bisedës është zbuluar se prokurori i ka sugjeruar familjes që mos ta ndjekin penalisht pronarin e biznesit me arsyetime se nuk është në të mirë të tyre që pronari të jetë i dënuar.

Skandal: Prokurori filmohet duke negociuar dënim më të ulët për biznesmenin

www.kallxo.com

.