Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Ne e kemi një sistem arsimor që nuk e promovon përdorimin e internetit për mësimnxënie

Mundësia e lehtë për qasje ka bërë që fëmijët në Kosovë të kalojnë kohë të gjatë në internet. Por, kohën që e kalojnë në internet, fëmijët nuk po e shfrytëzojnë për kërkime që mund të lidhen me mësimet në shkollë.

Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues në KALLXO.com ka thënë se sistemi i arsimit në Kosovë nuk e promovon përdorimin e internetit për mësimnxënie.

“Për me e kuptu se sa të rinjve iu duhet interneti, sa nxënësve iu duhet interneti duhemi me matë peshën e çantës së librave që ata çdo ditë i bartin në shkollë. Ne e kemi një sistem arsimor që nuk e promovon përdorimin e internetit për mësimnxënie, pra asnjë detyrë që e marrin nxënësit në shkollë, nuk ka kërkim në internet”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, ky është një defekt i sistemit arsimor në vend.

“Kërkesa nga shkolla është pak me përdorë internetin në mësimnxënie, e realiteti është që fëmijët e përdorin internetin deri në 6 orë të kohës së tyre. Kjo na tregon që e kemi një keqpërdorim të internetit ose një mungesë të detyrës që interneti me u përdorë në të mirë të nxënësit”, tha ai.

Përveç sistemit arsimor, Gashi ka thënë se edhe qeverisja lokale nuk është kujdesur për të krijuar hapësira ku të rinjtë mund të kalojnë kohë.

“Pse të rinjtë në Kosovë kanë kohë të lirë për me shfrytëzu internetin? Mos të harrojmë që e kemi një sistem të qeverisjes komunale i cili nuk ka promovuar as zhvillimin e sportit, as zhvillimin e aktiviteteve tjera jashtë korrikulare për nxënësit që vijojnë mësimin në shkollë”, tha Kreshnik Gashi.

“Më shumë se 80 për qind e shkollave në Kosovë nuk kanë hapësira sportive e kulturore, nxënësit në Kosovë është duke iu dhënë kohë e lirë për me kalu në internet”, deklaroi ai në KallxoPernime.