Foto: Policia e Kosovës

Fushë-Kosovë, arrestohen në flagrancë dy veta për shitblerje të narkotikëve, njëri dyshohet se e përpiu një qese me kokainë

Një plan taktik i Policisë së Kosovës, i koduar me emrin “Rrethi”, ka çuar në arrestimin e dy personave në flagrancë, të dyshuar për shitblerje të paautorizuar të narkotikëve.

Njëri prej tyre edhe kishte gëlltitur një qese të vogël me kokainë, me qëllim të fshehjes së dëshmive.

“Personat e dyshuar E.Xh., (viti i lindjes 1982) dhe A.I., (viti i lindjes 1979) janë ndaluar, por gjatë ndalimit është vërejtur se i dyshuari i dytë me qëllim të fshehjes së dëshmive ka gëlltitur një qese të vogël me lëndë narkotike të llojit kokainë, të cilën paraprakisht e kishte blerë nga i dyshuari i parë” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e E.Xh. Policia ka gjetur dhe konfiskuar lëndë narkotike në vlerë rreth 6 mijë euro, tre “Kallashnikovë”, para e gjësende të tjera.

Konkretisht, Policia gjeti: Substancë e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në 17 qese (16 të vogla të gatshme për shitje dhe 1 me sasi më të madhe) me peshë të përgjithshme prej 99.4 gramë, një pako në të cilën kishte një lloj përzierësi që përdoret për shtimin e sasisë së kokainës me peshë prej 63 gramë, një peshore digjitale që përdoret për matje precize në sasi të vogla dhe disa qese të zbrazura, para të gatshme në vlerë 1 mijë e 750 euro, 3 armë automatike “AK-47”, 6 karikatorë, municion të llojeve të ndryshme në sasi prej 510 copë, 2 bajoneta dhe 8 pjesë të ndryshme për armë, një palë dylbi, 2 këllëfë armësh dhe një telefon celular.

Të dyshuarit janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari E.Xh. është dërguar në mbajtje për veprat penale – shitblerja e narkotikëve, dhe – armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, i dyshuari tjetër A.I. është dërguar në mbajtje për disa urdhër arreste të mëhershme të cilat i kishte aktive.

Arrestimet kanë ndodhur sot më 21.05.2024 rreth orës 14:30 nga hetuesit e stacionit policor në Fushë-Kosovë, në “Rrugën e Pejës”.