Dhoma e monitorimit të zhurmës në lokalet e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Funksionalizohet Dhoma e Monitorimit të Zhurmave për kafiteritë e Prishtinës, gjobat deri në 3 mijë euro

Dhoma e Monitorimit të Zhurmave dhe pajisjeve për matjen e zhurmës, të instaluara në lokalet e gastronomisë në kryeqytet, është vënë në funksion nga sot.

Prej kësaj dhome do të kontrollohet drejtpërdrejt kur niveli i zhurmës së lejuar prej 60 decibel do të tejkalohet.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama njoftoi se lokalet që kalojnë nivelin e decibelëve do të gjobiten, por gjoba do të ketë edhe për lokalet që nuk kanë vendosur pajisjet për matjen e zhurmës.

Sipas tij, gjobat janë prej 1 mijë deri në 3 mijë euro.

“Sistemi operon në nivele. Nëse e kalon herën e parë e ka vërejtje e cila shkon në e-mail. Nëse e kalon prapë atëherë e kemi gjobën e parë 500 euro. Nëse e kalon edhe herën e dytë atëherë gjoba është 1 mijë euro. Herën e tretë mbyllet për tetë ditë operatori. Dhe kur të hapet nëse e kalon prapë rritet gjoba” – ka thënë ai.

Rama tha se ideja e sistemit është që gjobat që u dërgohen lokaleve janë të gjeneruara.

“Kemi kriju një sistem që nuk ekziston në botë. Është një gjë e re. Prishtina me këtë sistem është lider në botë” – shtoi Rama.

Arian Vrainca, nga Shoqata e Gastronomeve të Kosovës tha se e ata e mbështesin këtë sistem.

“Këto janë të vendosura në hapësirat e jashtme. Kjo për ne është normale. Dallon zona urbane nga ajo rurale. Është lehtësim se edhe institucionet me mujt me zbatu ligjin dhe të kenë mundësi me i kontrollu të gjitha lokalet. Ju bëj thirrje edhe një herë që të mos shkojmë të dënimet, të respektojnë rregulloren dhe të aplikojnë” – tha ai.

Ndërsa, drejtori i Policisë në rajonin e Prishtinës, Basri Shabani tha se ky sistem është i rëndësishëm për qytetarët e kryeqytetit.

“Kemi pasë ankesa pothuajse ditore sa i përket tejkalimit të zhurmës” – tha ai.

Nga muaji mars 2023, Komuna ka hapur thirrjen që lokalet të aplikojnë për t’u pajisur me këto mjete për matje zhurme.

Ky vendim u mor nga Komuna pas ankesave të shumta nga qytetarët për zhurmën nga lokalet e gastronomisë.

Për hartim të rregullores që përcaktoi orarin e punës dhe nivelin e lejuar të decibelëve Komuna mbajti tri diskutime publike me pronarë lokalesh, qytetarë dhe pjesëtarë të policisë.

Në këtë rregullore janë të përfishira subjektet afariste si kafenetë, baret, restorantet, klubet e natës, ndërsa orari është i përcaktuar në bazë të zonës urbane, rezidenciale dhe rurale.

Orari i punës në kafene dhe restorante sipas kësaj rregulloreje, duhet të jenë brenda kornizës kohore 07:00- 24:00.

Orari i punës për këto lokale do përcaktohet me periudhën verore dhe dimërore. Periudha verore fillon nga 1 prill deri më 30 shtator, derisa koha dimërore nga 1 tetor deri më 31 mars. Derisa, kryetari me urdhër të veçantë mund të lejojë zgjatjen e orarit për dy orë shtesë gjatë periudhës 15 korrik- 15 gusht dhe 20 dhjetor-10 janar.

Fillon faza testuese e aplikacionit për zhurmën nga gastronomia në kryeqytet