FSK-ja nis operacionin e çminimit humanitar për pastrimin e fushave të minuara

Kompania e Deminimit e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës më 20.03.2024 ka filluar operacionin e deminimit humanitar për pastrimin e fushave të minuara dhe fushëbetejave.

Sipas njoftimit, gjatë këtij viti, njësitë e deminimit do jenë të angazhuara në pastrimin e tri lokacioneve në territorin e Kosovës: fshatin Muradem, majën e Cvilenit në zonën e Prizrenit dhe Parkun e Lirisë në Ferizaj.

Po ashtu, këto njësi do të ofrojnë kujdestari 24/7 për largimin e mjeteve të pashpërthyera që mund të hasen nga qytetarët.

Në njoftimin e FSK-së thuhet se komandanti i Gardës Kombëtare, gjeneralbrigade Naim Haziri së bashku me komandantin e Regjimentit të Mbrojtjes Civile, nënkolonel Gezim Sada dhe zëvendëskomandanti i KDS-së, kolonel Ilir Shyti, kanë vizituar ekipet në Parkun e Lirisë në Ferizaj për të parë nga afër mbarëvajtjen e operacionit dhe për t’i përgëzuar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë që po tregojnë në pastrimin e fushave të minuara.

“Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës trajnohen dhe ngritën profesionalisht me qëllim që të jenë sa më të përgatitur dhe të gatshëm për t’u dal në ndihmë qytetarëve të vendit me gjitha kapacitetet e saj kurdo dhe kudo që kërkohet”- thuhet në njoftim.