Ilustrim

Fshatrat e Podujevës me pak banorë, mbyllen shkollat e transferohen nxënësit

Fshatrat e Podujevës kanë nisur të boshatisen. Disa prej tyre janë pa asnjë banor të vetëm, e disa të tjera me një numër të vogël. Kjo ka çuar edhe në mbylljen e shkollave e transferimin e nxënësve, derisa banorët kërkojnë që t’u krijohen kushte që t’iu mundësohet jeta në fshat.

Shtëpi të zbrazëta e shkolla të mbyllura. Fshatrat e Podujevës, kanë nisur të braktisen në masë të madhe nga banorët.

Banorët, sipas kryetarit të fshatit, Tafil latifi, po zgjedhin qytetin, përballë vështirësive të jetës në fshat.

“Fshatrat përreth i kanë diku 39 shtëpi por jo më shumë. Fshatrat përreth kufirit kanë qenë më të banueshme” – ka thënë Latifi.

Nga Zhitia e deri në Bercë, gjatë qëndrimit të ekipit të televizionit Dukagjini, banorët që hasen janë të rrallë.

Një prej tyre është Esat Jashari, që tregon edhe se çka u mungon në fshatin e tyre, e që do t’ua lehtësonte jetën.

“Tash ka pak diçka…Kanë dalë ma moti, para 10 viteve. Na duhet një ambulantë më afër. Sa shkojmë deri në Pollatë, ta kemi këtu” – ka thënë Jashari.

Sikur në Zhiti, edhe në fshatrat e tjera hasen shkolla të mbyllura.

Për këtë të parën, drejtori i Arsimit në komunën e Podujevës, Avni Fetahu, thotë se vendimi për mbylljen dhe transferimin e nxënësve, është bërë me qëllim të socializimit të tyre.

“Aty ka ra numri i nxënësve si në Zhiti, ku numri i mësimdhënsve ka qenë më i madh dhe si arsye kryesore për t’i bashkuar shkollat ka qenë ajo e socializimit të fëmijëve. Kam qenë vet aty e kam parë procesin dhe e kam pare sa e vështirë ka qenë të mësohet aty ku nuk ka mendime ndryshe” – ka deklaruar Fetahu.

Siç tregon Fetahu, rrugëtimi i nxënësve është mbuluar nga komuna dhe se asnjë mësimdhënës nuk ka humbur punën nga mbyllja e shkollave në fshatra./Dukagjini