(FOTO+VIDEO) Zbulohet një kopje e fletëvotimit në Prizren

KALLXO.com ka hasur në një fletëvotim të dyshimtë jashtë shkollës Avdyl Frashëri në Prizren.

Ekipi i Kallxo.com menjëherë ka lajmëruar zyrtaren policore që ka qenë në afërsi të shkollës. E njëjta më pas ka lajmëruar kolegun e saj me të cilin kanë qenë në të njëjtën shkollë.

Zyrtari policor ka lajmëruar bazën ndërsa pa asnjë shpjegim për Kallxo.com, fletëvotimin e ka hapur kryesuesi/menaxheri i Qendrës së Votimit.

Sipas zyrtarit policor, nga baza është udhëzuar që ta lajmëroj menaxherin e qendrës.

Pas hapjes, është kuptuar që fletëvotimi nuk ka qenë i vulosur.

Fletëvotimi është larguar nga aty nga menaxheri i qendrës ndërsa për rastin nuk është njoftuar e as nuk është hapur rast në Policinë e Kosovës.

Zyrtari Policor i ka thënë ekipit të KALLXO.com se menaxheri i shkollës ka vendosur që t’i kthej kamerat e sigurisë për të parë se çfarë ka ndodhur.

Një nga mënyrat se si bëhet vjedhja e votave e që njihet si “Treni bullgar” është kur një fletëvotim i zbrazur del jashtë vendvotimit. Pastaj ai fletëvotim mbushet jashtë dhe hyn në kuti. Ndërsa fletëvotimi që merret, del jashtë dhe kështu vazhdon procesi që njihet si “treni bullgar”.