Prokuroria në Prizren nis të mbledhë informacione për fletëvotimin që u gjet në oborr të shkollës

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka konfirmuar se ka nisur mbledhjen e informacioneve në lidhje me fletëvotimin që u gjet në oborrin e shkollës “Abdyl Frashëri” në Prizren.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala tha për KALLXO.com se do të kërkojë të marrë informacione në hollësi.

“Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë informacion lidhur me këtë rast. Tani do t’i thërras koordinatorët e qendrave dhe do të njoftohem në hollësi lidhur me rastin”. tha kryeprokurori Admir Shala për KALLXO.com.

Fletëvotimi i cili është gjetur nga ekipi i KALLXO.com në oborrin e shkollës “Abdyl Frashëri” në Prizren i ka rënë një qytetari nga xhepi.

Kjo është parë nga xhirimet që janë kthyer nga menaxhmenti i shkollës.

Ekipi i KALLXO.com është ftuar nga zyrtarët policorë dhe menaxheri i qendrës së votimit për t’i parë kamerat e shkollës.

Nën shoqërimin e policisë së Kosovës dhe menaxherit të qendrës së votimit ekipi i KALLXO.com ka parë që fletëvotimi i dyshimtë ka rënë nga xhepi i një qytetari.

(FOTO+VIDEO) Zbulohet një kopje e fletëvotimit në Prizren