Foto-ilustrim

Foshnja e sapolindur gjendet e braktisur në bodrum të një pallati në Tiranë, nëna ndalohet nga Policia

Një foshnjë e sapolindur është gjetur e braktisur sot në bodrumin e një pallati në zonën e Yzberishtit në Tiranë.

Nëna e foshnjes së braktisur është identifikuar dhe ndaluar nga policia.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat thotë se Policia e Tiranës ka kryer ndalimin e saj. Ajo është një grua 30-vjeçare nga Pogradeci, e cila jetonte në rrugën “3 Dëshmorët” në Tiranë.

Foshnja e gjinisë mashkull mësohet se është shumë rëndë dhe po mbahet i intubuar.

Në momentin e mbërritjes në reanimacion foshnja ishte i mbuluar me gjak e baltë. Mjekët konstatuan hipotermi të thellë, gërvishtje të syrit të majtë, të gojës, të gishtave të dorës së djathtë dhe dëme të tjera që u konstatuan pas larjes.

Mbërriti pa shenja jete dhe u reanimua intesivisht duke u intubuar. Pas reanimimit intensiv prej 40 minutash, shfaqi shenja jete dhe më pas u bë mjekimi i plagëve. Ai mbetet në gjendje tepër të rëndë i lidhur me aparatin e ventilimit me parametra maksimalë.

Mësohet se fëmija në momentin e parë u gjet i zhveshur, me kordonin umbelikal të pa prerë dhe i mbuluar me gjak.

Policia informon se pas shoqërimit në komisariat, gruaja ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, e cila bën fjalë për gjetjen e një foshnje të porsalindur në bodrumin e një pallati në Yzberisht, ju informojmë se: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e një 30-vjeçareje, si autore e dyshuar e kësaj ngjarje. Pas identifikimit dhe shoqërimit, shërbimet e Policisë e kanë dërguar 30-vjeçaren për ndihmë mjekësore në spital, dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, theksohet në njoftimin e policisë.

Foshnja e sapolindur është gjetur e braktisur në bodrumin e një pallati në zonën e Yzberishtit në Tiranë.

Djali i sapolindur është gjetur nga një banor i pallatit, i cili ka njoftuar policinë dhe më pas është transportuar në spital. Top-Channel