Flet profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, thotë se u sulmua nga një mjek

Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci, po pretendon se është sulmuar sot nga prindi i një studenti.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se sulmi ndaj saj ka qenë krejtësisht i papritur dhe i paprovokuar.

Pupovci ka treguar se personi që e ka sulmuar është mjek. Madje ajo ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që ky person përmes dhunës tenton të zgjidhë problemet.

“Si duket specialisti i gjinekologjisë, Arsim Gashi, nuk e ka herën e parë që përmes dhunës tenton t’i zgjidh problemet. Prandaj pres që ta merr dënimin e merituar”, ka thënë Pupovci.

Sipas Pupovcit, studenti ka qenë i pakënaqur me notën e provimit.

Në postimin e saj, ajo ka thënë se ky student ka mënyra të tjera akademike për të kërkuar drejtësinë, ndërsa, sipas saj, ndërhyrja e prindit është krejtësisht e papranueshme.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me rastin.

Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka treguar se lidhur me rastin është ndaluar një person rreth orës 18:30.

Sipas Ahmetit, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

Ndalohet i dyshuari për sulmin ndaj profesoreshës së Fakultetit të Mjekësisë