Foto: Kallxo.com

Flasin opozitarët që ia shpëtuan buxhetin Mytaher Haskukës

Me dy votat e asamblistëve nga opozita, Kuvendi i Prizrenit ka miratuar buxhetin për vitin 2020 për Komunën e Prizrenit.

miratimi i buxhetit u bë me 22 vota, falë mbështetjes që buxheti i propozuar nga komuna e drejtuar nga Mytaher Haskuka mori prej një asamblisti të NISMA-s dhe një asamblisteje tjetër të AAK-së të cilët nuk përfillën grupet respektive të asamblistëve për ta braktisur seancën.

Sinan Aliaj nga NISMA dhe Agnesa Sinanaj nga AAK kanë qëndruar në mbledhje duke mos iu bashkangjitur kolegëve të tyre.

KALLXO.com ka kontaktuar me të dy asamblistët për të marrë qëndrimet e tyre për arsyet që votuan për buxhetin dhe nuk e braktisën mbledhjen sikurse bashkë partiakët e tyre.

Sinan Aliaj tha për KALLXO.com se nuk ka e kushtëzuar votën e tij dhe nuk ka kërkuar asnjë favor.

“Votova për të mirën e qytetarëve të Prizrenit, boll ma me bllokada, kam votuar që të mos bllokohet qyteti i Prizrenit”, tha Aliaj.

Ndërsa Agnesa Sinanaj tha për KALLXO.com se qëndroi në mbledhje për të votuar për buxhetin që qytetarët të mos i vuajnë inatet politike.

“Kam votuar që qytetarët të mos i vuajnë pasojat e politikës, nuk kam kërkuar asnjë favor personal”, tha Sinanaj.

“Mos më këqyrni qashtu çuditshëm”, iu drejtua ajo kuvendarëve me buzëqeshje kur opozita e braktisi mbledhjen.

Ndriçimi në fshatin Shkozë ka qenë propozimi i asamblistës Agnesa Sinanaj, e cila tha se ky projekt nuk është paraparë në planin buxhetor. Sido që të jetë, ajo tha se ky refuzim i propozimit të saj nuk ndikon që ajo të votonte kundër buxhetit.

Mbledhja e rregullt e datës 25 shtator kishte dështuar të mbahet pasi që nga mbledhja ishin larguar opozita e përbërë nga PDK dhe AAK.

Dje kryetari Haskuka kishte apeluar te asamblistët që të votojnë buxhetin dhe të mos dëmtojnë Komunën e Prizrenit, duke i paralajmëruar ata se Asambleja mund të shpërbëhet dhe mund të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme për asamblenë komunale në rast se buxheti nuk kalon.

Haskuka apelon për votimin e buxhetit, paralajmëron për mundësinë e shpërndarjes së Asamblesë