Dështon votimi për buxhetin e Prizrenit, PDK e AAK largohen nga mbledhja

Mbledhja më e rëndësishme për vitin 2019 në Asamblenë Komunale të Prizrenit ka dështuar të mbahet, kjo në mungesë të kuorumit dhe pas largimit të kuvendarëve nga radhët e opozitës.

Nga 12 pika të Rendit të Ditës, ajo më e rëndësishmja për qytetin e Prizrenit ka qenë: Shqyrtimin dhe miratimi i Buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2020, dhe parashikimi për vitet 2021 dhe 2022.

Për vitin 2020 Komuna e Prizrenit ka planifikuar të ketë Buxhet prej 50 Milionë Euro, dhe për këtë ka mbajtur pesë dëgjime publike në Gjonaj, Zhur, Reçan, Korishë dhe me datë 23 gusht dëgjimi publik ishte përmbyllur në sallën e Kuvendit në Prizren.

Ky rend dite pritet të diskutohet por pa Drejtor të Financave pasi që ish-drejtori Ertan Simitçi kishte dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij.

Ende pa u aprovuar rendi i ditës, kuvendarët e PDK-së dhe AAK-së u bën bashkë dhe u larguan nga kjo mbledhje.

Pas largimit nga salla të njëjtit u kujdesën që të kenë edhe një fotografi si kujtim.

Asamblistët e PDK-së dhe AAK-së – 25.09.2019

Pas kësaj kryesuesi i Asamblesë së Prizrenit thirri një pauzë 15 minutëshe, por që doli të jetë e gjatë rreth 1 orë.

Gjatë kësaj kohe ekzekutivi në Prizren po llogarsite se a i ka votat e mjaftueshme për të vazhduar me mbledhjen.

Në sallë të Asamblesë nuk u paraqitën as dy kuvendarët nga komuniteti boshnjak që i përkasin subjektit NDS, e udhëhequr nga Emilija Rexhepi, të cilët janë në koalicion qeverisës bashkë me LVV në Prizren.

Kuvendarët e NISMA-s në Prizren një ditë më parë kishin paralajmëruar mungesën e tyre, duke u arsyetuar me fillimin e fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Por asamblisti Sinan Aliaj nga NISMA u paraqit në sallën e  kuvendit dhe i njëjti qëndroi deri kur u lajmërua për ndërprerjen e mbledhjes.

Sinan Aliaj nga NISMA - 25.09.2019
Sinan Aliaj nga NISMA – 25.09.2019

Gjatë kohës sa pritej rifillimi i mbledhjes kuvendari i NISMA-s qëndronte në shoqëri të dy drejtorëve Ehat Oreshka dhe Osman Hajdari, të cilët vijnë poashtu nga NISMA, por edhe pas largimit të asamblistëve të këtij subjekti të njëjtit vazhduan të qëndrojnë në detyrat e tyre.

Pas rreth një orë pauze, kryesuesi Artan Abrashi u kthye në kuvend për të lajmëruar dështimin e kësaj mbledhje, duke thënë  se ‘Për mbledhjen e ardhshme kuvendarët do të njoftohen me kohë’.

Haziz Hodaj, nga LDK-ja tha se kjo seancë nuk mund të ishte ndryshe për shkak të fillimit të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Gjatë kohës kur kryesuesi Abrashi caktoi pauzën, kuvendarët dhe drejtorët e komunës po silleshin koridoreve të objektit dhe qëndronin jashtë objektit të Kuvendit në pritje të plotësimit të numrave të nevojshëm për të vazhduar mbledhjen.

Aktakuzë ndaj drejtorit dhe u.d. drejtorit për Ekonomi dhe Financa në Prizren

.