Ilustrim

Finlanda anëtarësohet në NATO

Finlanda u bë sot zyrtarisht vend anëtar i NATO-s, në pothuajse më pak se një vit pas kërkesës për anëtarësim, e nxitur nga sulmi rus ndaj Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se zgjerimi i aleancës tregon se Presidenti rus po përballet me dështim të synimeve të tij në sulmin ndaj Kievit.

Finlanda u bë sot zyrtarisht anëtare e NATO-s, duke i dhënë një goditje të fortë Presidentit rus Vladimir Putin, përmes riformatimit të strukturës së sigurisë të Evropës së pas Luftës së Ftohtë, të nxitur nga agresioni rus kundër Ukrainës.

Me hyrjen në NATO të vendit nordik, kufiri i Rusisë me aleancën më të madhe ushtarake në botë, u dyfishua. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Finlanda kishte ruajtur neutralitetin, por ndryshoi qëndrim pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Duke përshëndetur Finlandën, Presidenti Biden theksoi se anëtarësimi ndodh pikërisht në ditën e 74 vjetorit të themelimit të NATO-s, më 4 prill 1949.

“Kur Putini filloi agresionin mizor kundër Ukrainës, ai mendoi se do ta përçante Evropën. Ai u gabua”, tha Presidenti Biden.

Duke folur sot në ceremoninë e pranimit në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dita e sotme është një ditë historike.

“Ishte sulmi ndaj Ukrainës që nxiti vendimin e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Kur Presidenti Putin nisi sulmin, deklaroi objektivat e tij. Ai nuk donte zgjerim të NATO-s dhe të Europës. Por po përballet me krejtësisht të kundërtën. Po përballet me një prani më të lartë ushtarake në ajër, tokë dhe det, në krahun lindor të Aleancës. Po përballet me zgjerim të aleancës. Sot valëvitet flamuri i Finlandës, por shumë shpejt edhe Suedia do të bëhet anëtare e NATO-s”, tha zoti Stoltenberg.

Ministri i Mbrojtes i Finlandës, Antti Kaikkonen tha se dita e sotme ishte një ditë e madhe për vendin e tij.

“Është një ditë e madhe për Finlandën. Ditë fitoreje për të gjithë. Anëtarësimi ynë i shërben edhe NATO-s”, tha ai./VOA