Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Finalizohet puna e Grupit Punues për adresimin e çështjeve për Projektkodin e Procedurës Penale

Ministria e Drejtësisë, sot në kuadër të adresimit të çështjeve të rëndësishme, pas një punë intensive, ka njoftuar nëpërmes një komunikate për media, se Grupi Punues për Projektkodin e Procedurës Penale ka finalizuar punën me takimin e mbajtur dhe diskutimin e fundit të tij.

Prezent në këtë diskutim kanë qenë Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, zëvendësministrat, përfaqësues të tjerë nga Ministria e Drejtësisë si dhe anëtarët e Grupit Punues nga institucionet përkatëse dhe shoqëria civile.

Në këtë takim janë diskutuar, përpos gjykimit në mungesë i cili është në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe në linjë me ligjin e ri tashmë të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe çështje të tjera të cilat kanë të bëjnë me mundësimin e suspendimit të zyrtarëve publik me rastin e ngritjes së aktakuzës për vepra të korrupsionit dhe krimit të organizuar, thuhet në komunikatë.

Po ashtu thuhet se, është adresuar çështja me afatet e hetimeve të cilat do të ndikojnë në një hetim më kualitativ, pastaj kontrolli i hetimeve si dhe çështje të tjera të rëndësishme teknike dhe përmbajtjesore të Kodit aktual, adresimi i të cilave do të ndikojë në punë më efikase dhe efektive të sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Sipas kësaj komunikate, Projektkodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, është në kuadër të prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë në reformimin e drejtësisë penale, e cila do të finalizohet tutje sipas afateve të parapara në Programin Legjislativ të Ministrisë së Drejtësisë.