Skenë nga filmi 'Zgjoi'. Foto: QKK.

Filmi 'Zgjoi' do të shfaqet në kinematë e Austrisë nga 21 tetori

Prej 21 tetorit filmi kosovar me regji të Blerta Bashollit “Zgjoi”, do të fillojë të shfaqet në kinematë e Austrisë.

Këtë e ka bërë të ditur aktorja Yllka Gashi, e cila ka rolin kryesor në film.

“Shfaqje speciale në Linz me 26 Nëntor ku do të jetë e pranishme edhe znj. Fahrije Hoti”- ka shkruar Gashi në Facebook. 

Ajo ka publikuar disa kinema ku do të shfaqet filmi: “Village Vienna, Admiralkino Vienna, Wels Programmkino Moviemento Linz, Gröbming, Das Kino Salzburg (Në fund të Nëntorit), Rechbauer Graz, KIZ Royal Graz, Volkskino Klagenfurt, Leokino Innsbruck, Filmforum Bregenz 27.10, Nexus Saalfelden 27.10, Radstadt Filmfestival (Nëntor)”.

Filmi artistik “Zgjoi” ka qenë përfaqësues i Kosovës dhe ka marrë tri çmime kryesore të “Sundance Film Festival”.

“Zgjoi mori çmimin për: ‘Filmi më i mirë’, ‘Regjisorja më e mirë dhe ‘Çmimin e publukut’.

Ky është filmi i parë që bëri histori në kinematografinë shqiptare. “Sundance Fim Festival” është një prej festivaleve më të mëdha që organizohet në SHBA.

Bazuar në një histori të vërtetë, filmi ndjek Fahrijen (Yllka Gashi), e cila, si shumë nga gratë e tjera në fshatin e saj, ka jetuar me shpresë të venitur dhe pikëllim në rritje prej kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë. Për të siguruar familjen e saj në vështirësi, ajo mbledh të vejat e tjera në komunitetin e saj për të nisur një biznes që shet një produkt ushqimor vendas, pavarësisht rezistencës nga shoqëria thellësisht patriarkale.

Që nga triumfi në festivalin e filmit Sundance, Zgjoi ka fituar më shumë se 15 çmime festivalesh, përfshirë çmime në Varshavë, Hamburg, Montpellier, Berkshire, Osnabrück, Herceg Novi, Prishtinë dhe Cinedays Shkup, ndërkohë që Yllka Gashi fitoi çmimet e aktores më të mirë në Valladolid dhe Scottsdale.