Vaksinimi, Foto: Komuna e Lipjanit

Fillon vaksinimi i personelit mjekësor në Lipjan

Në Komunën e Lipjanit ka filluar vaksinimi i personelit mjekësor me vaksinën kundër COVID-19 të llojit “AstraZeneca”.

Komuna e Lipjanit ka njoftuar se këto vaksina janë të dedikuar për punëtorët shëndetësorë dhe se vaksinimi po bëhet sipas planit të komitetit të vaksinimit.

Komuna thekson se sipas këtij plani, në fazën e parë pas stafit mjekësor, me radhë do të vaksinohen personat mbi 80 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore, kronike.

“Ky vaksinim po bëhet në kushtet dhe me masat e parapara sipas IKSHPK-së. Për fazën e dytë të vaksinimit dhe për funizimin me vaksinat për qytetarët do të bëhet informimi me kohë”, thuhet në njoftim.

Kosova është vendi i fundit në rajon që ka nisur vaksinimin kundër COVID-19, pasi në fund të marsit pranoi vetëm 24 mijë doza të vaksinave.

Ende nuk dihet se kur mund të vijnë vaksina të tjera në Kosovë.