FFK dënon djegien e flamurit të Greqisë në Prishtinë

Federata e Futbollit të Kosovës e ka dënuar ashpër djegien e flamurit të Greqisë në Prishtinë nga disa individë.

“Federata e Futbollit e Kosovës e dënon fuqishëm aktin e djegies së flamurit të Greqisë në sheshin e kryeqytetit nga disa individë të pandërgjegjshëm, e që thirren në përfaqësim të një grupi të tifozëve, pas ndeshjes së mbrëmshme Gjilani – Apoel. Grupi i tifozëve “Skifterat” deri tash nuk është shquar për akte të tilla apo për dhunë, andaj edhe individët që e kanë kryer këtë akt të turpshëm besojmë që nuk kanë lidhje me këtë grup të tifozëve”, thuhet në komunikatë.

“Njëherësh, konsiderojmë se ky akt i shëmtuar nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën dhe idealet e popullit tonë. Çdo sjellje e tillë është në kundërshtim me vlerat tona dhe ambicien për të qenë pjesë e familjes së shteteve demokratike evropiane”, thuhet në reagim.

Për këtë akt Federata kërkon nga organet hetimore në vend që të vihen para drejtësis individët të cilët e kanë kryer këtë vepër, sipas FFK kjo vepër e prish imazhin e futbollit dhe shtetit.

“Kosova është shndërruar në storie të suksesit dhe shembull për të mirë duke iu falënderuar paraqitjeve të shkëlqyeshme të Kombëtares sonë”, thuhet tutje në reagim.

Kosova dhe Greqia mujin e ardhshëm do të ballafaqohen në kuadër të Ligës së Kombeve.