Festivali ‘DokuFest’ ka shpallur temën për edicionin e 21-të

“How to Survive…?” është tema e edicionit të 21-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest”.

Përmes një njoftimi për media, stafi drejtues i “DokuFestit” ka bërë të ditur se kjo tematikë përqendrohet rreth nocionit të mbijetesës dhe që për herë të parë vjen në formën e një pyetjeje.

Një numër filmash nga programi i sivjetmë i këtij festivali prekin temën e të mbijetuarit në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.

“Si t’i mbijetosh nxehtësisë, përmbytjeve, dhunës, inflacionit, luftërave, fashizmit dhe përfundimisht zhdukjes… Janë vetëm disa nga pyetjet që do të shtrohen. Nëpërmjet bisedave dhe debateve të shumta me të ftuar, mendimtarë dhe ekspertë, festivali do të përpiqet të kërkojë përgjigje për këto pyetje ekzistenciale, në një kohë ku mbijetesa në një botë të trazuar është bërë e domosdoshme për të gjithë ne”, thuhet në njoftim.

Edicioni i 21-të i “DokuFestit” do të mbahet nga 5 deri më 13 gusht 2022 në Prizren.

Gjatë këtij edicioni do të shfaqen 109 filma në 8 programet garuese të festivali.