Foto: DokuFest.

Në ‘DokuFest’ do të shfaqen 24 filma të shkurtë për futbollin

Kampionati Botëror i Futbollit merr vëmendjen e shumë njerëzve një herë në katër vjet, gjatë verës.

Këtë vit, do të jetë hera e parë që Kampioni Botëror i Futbollit nuk po organizohet gjatë verës.

Për shkak se vendi nikoqir është zgjedhur shteti i Katarit dhe në këtë kohë atje, temperaturat janë të lartë, gara më e madhe e futbollit është zhvendosur disa muaj më vonë, në nëntor.

Për ta mbajtur gjallë atmosferën për futbollin, në mungesë të këtij kampionati, “DokuFest” ka përgatitur enkas një kategori të veçantë me filma për futbollin në kuadër të programit special të aktiviteteve të tij.

Janë 24 filma që vijë nga vende të ndryshme që do të shfaqen në kategorinë, “Football Shorts”.

Regjisori Samir Karahoda, seleksionues i filmave të shkurtër për “DokuFestin”, thotë për KALLXO.com se kampionatet botërore që mbahen çdo 4 vjet përcillje me kureshtje edhe nga stafi i festivalit.

Samir Karahoda. Foto: MKRS.

“Më kujtohet viti 2002, ishim në përgatitje të edicionit të parë të ‘DokuFest’ dhe në po atë vit zhvillohej kampionati i parë botëror, e para, pas luftës në Kosovë. Prej atëherë, në çdo 4 vjet në Prizren përjetonim të njëjtën atmosferë gjatë përgatitjeve të festivalit, ku lojërat e futbollit sado pak na bënin të relaksoheshim nga ngarkesa e përgatitjeve te festivalit” – thotë Karahoda në një bisedë për KALLXO.com.

Për ta rikthyer këtë atmosferë në Prizren, Karahoda tregon se është përgatitur një program enkas për adhuruesit e futbollit e po ashtu edhe të filmit.

Ajo çka ndryshon këtë herë, shton ai, është shpalosja e një ane tjetër të futbollit, atë anë që nuk shihet në fushë, por që ndodh prapa saj.

“Programi në vete përmban 24 filma të shkurtër. Ka qenë një sfidë për t’ i gjetur pasi që numri i tyre ka qenë jashtëzakonisht i vogël krahasuar me numrin e madh të filmave të gjatë që janë punuar vitet e fundit”- shton ai.

Filma që do të shfaqen në  “Football Shorts” vijnë nga vende të ndryshme, nga Evropa sidomos si Gjermani, Suedi, Portugali, Angli deri ne Amerikën Latine, si nga Meksika, Brazili e Argjentina.

“Filmat  trajtojnë tema jashtëzakonisht unike dhe interesante, komike e tragjike, si migrimi, anën personale të një referi, huliganizmin, manipulimet me talentët e deri tek grindjet familjare”- shton regjisori Karahoda.

Sipas tij, filmat janë përzgjedhje e përzier me filma fiksion, dokumentar e po ashtu edhe animacion.

“Është një program argëtues që do t’ ua kisha preferuar adhuruesve të futbollit dhe të njihen më shumë me prapavijën e këtij sporti. Filmat shfaqen një natë në Kino Lumi dhe të nesërmen në Cinemarine prej orës 14.00” – thotë Karahoda për KALLXO.com

Edicioni i 21-të i Festivali “DokuFest” do të mbahet deri më 13 gusht në Prizren.