Foto: KALLXO.com.

21-vjet ekzistencë të ‘DokuFest’-it, epiqendra e filmit në Kosovë

Atmosfera artistike mbizotëron në qytetin e Prizrenit në këto ditë gushti.

Edicioni i 21-të i “DokuFest”-it po vazhdon ritmin e të qenit vëmendja dhe ngjarja kulturore më e rëndësishme e vendit.

Mbushja e gati çdo rrugice të qytetit me kalimtarë, vullnetarë, artistë dhe artdashës zuri temën qendrore të një hapësire kaq te stërmbushur, festën e filmit prej së cilit rrjedhin vite të punës e sakrificës me qëllim jetësimin e këtij manifestimi.

Ky varg netësh nën mburojën e qiellit të hapur nga kalaja deri poshtë tek Lumbardhi, mes harmonisë dhe  preferencave për tu dëfryer shënon plot 21-vjet ekzistencë dhe promovim kulturor.

Mbi 250 filma dokumentarë dhe të metrazhit të shkurt janë duke u shfaqur në 10 kinema në Prizren në kuadër të “DokuFest”-it, cili sivjet i kthehet formës së tij tradicionale.

Në 2020 dhe 2021, për shkak të COVID-19 festivali është shfaqur në versionin e kombinuar, online dhe me prezencë të kufizuar fizike.

Turistë vendas e huaj janë shprehur të entuziazmuar me programin e “DokuFest” -it, por edhe me qytetin e Prizrenit.

 

Foto: KALLXO.com.

Arsil Tepelia nga Tirana thotë për KALLXO.com se është viti i katër që vjen në këtë festival.

“Më pëlqen Qyteti i Prizrenit si transformohet për festivalin, përzgjedhja e filmave është gjithmonë shumë e mirë, evenimentet kulturore, njerëzit, dinamika, gjithçka duket shumë”- tha Tepelia për KALLXO.com.

Mahir Mazreku që është kthyer për pushime thotë se ndjen një kënaqësi të veçantë që po e sheh qytetin e tij të gjallëruar gjatë “DokuFest”-it.

“Kjo koha kur vjen (DokuFest-i) është kënaqësi shumë e madhe” – thotë Mazreku për KALLXO.com.

Sia dhe Lela janë dy shoqe të cilat kanë ardhur ta vizitojnë Kosovën dhe të ndjekin aktivitetet që ofron “DokuFest”-i. Sia është nga ishulli Mauritius që ndodhet në kontinentin e Afrikës, ndërsa Lela është nga Kanadaja, nga Amerika e Veriut.

Ato mësuan për Kosovën nga shoqja e tyre e përbashkët, Lura, e cila i ftoi në vendlindjen e saj në Prizren.

Sia thotë që i pëlqen qyteti i Prizrenit, ndërsa Lela që qyteti është shumë i bukur e ka shumë njerëz nga e gjithë bota.

Lela është shumë e entuziazmuar me festivalin “DokuFest”. Ajo thotë që do të ndjekin edhe “DokuNights”, koncertet e muzikës që i organizon festivali në skenën Andrra në parkun e Marashit. Sia po pret me padurim të shohë filmat.

“Jam e emocionuar për filmat” – tha ajo për Kallxo.com duke shtuar se do të vazhojnë të përcjellin filmat e “DokuFest”-it.

Ndërkaq, Jeton Ramadani nga Prishtinë, një vizitorë i rregullt i “Dokufest”-it,  thotë se i pëlqen tema që trajtojnë filma e edicionit të këtij festivali.

“Trajtojnë temën aktuale në botë, ngrohejn globale, janë shumë tema të ndjeshëm që na prekin secilin prej nesh, fatkeqësisht ne jemi vend i vogël dhe mundohem me ndiku aq sa mundem” – tha Ramadani për KALLXO.com.

“How to Survive…?” (Si të mbijetojmë), është tema e edicionit e 21-të të “DokuFest”.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” do të zgjas deri më 13.08.2022.

 

Foto: KALLXO.com.
Foto: KALLXO.com.