Hapja e "Dokufestit" - Foto: Atdhe Mulla

Nis në Prizren Festivali ‘DokuFest’

Ka nisur sonte në Prizren edicioni i 21-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”.

Gjatë edicionit të sivjetmë të këtij  Festivali do të shfaqen mbi 250 filma dokumentarë dhe të shkurtër në tetë kategori, në 10 kinema në qytetin simbol të Kosovës.

Këtë vit, organizatorët kanë rikthyer edhe programin e filmave për fëmijë “DokuKids” dhe pjesën muzikore të festivalit “Dokunights”.

Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e Festivalit, ka thënë për KALLXO.com se për këtë edicion të “DokuFestit” është treguar interesim i madh edhe nga vendet aziatike.

“Këtë vit ka jashtëzakonisht interesim te madh nga filmbërës nga Azia, si Nepali dhe Singapori”, ka thënë ajo. Ndërsa nuk do të mungojnë  përfaqësues të festivaleve me renome, si Berlinale, etj.

Këtë edicion, në në programin kombëtar të festivalit garojnë 15 filma, 5 prej tyre janë nga Kosova.

Edhe këtë vit janë paraparë të mbahen panele diskutimi e masterklasë.

“Do të kemi panele diskutimi për ballafaqim me të kaluarën në bashkëpunim me HLC; për ambientin dhe ndotjen e ajrit me UNDP dhe debate dhe masterklasë për filmin dokumentar dhe industrinë e filmit në Kosovë”, ka thënë Llulla.

Në natën e parë të ‘DokuFestit” janë shfaqur disa filma në tri kategori garuese.

Edicioni i 21-të i “Dokufestit” do të zgjasë deri më 13 gusht.