(Arkiv) Shënimi i Vidovdanit në Gazimestan, Foto: Atdhe Mulla

Festa e Vidovdanit, këto janë masat e marra nga Policia e Kosovës për të siguruar rendin dhe qetësinë

Policia e Kosovës ka njoftuar për angazhimet policore që do t’i ndërmarrë lidhur me mbarëvajtjen e festës religjioze ortodokse të Vidovdanit, e cila festohet nesër.

Policia ka bërë të ditur se është përgatitur plani operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, para, gjatë dhe pas manifestimit të kësaj feste.

Tutje Policia ka njoftuar se masat dhe objektivat strategjike që janë ndërmarrë që ky manifestim të kalojë qetë dhe pa incidente janë:

– Parapërgatitja dhe ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në mënyrë që manifestimi të zhvillohet në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike.

– Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas manifestimit të ‘Vidovdanit’.

– Garantimi i lirisë së lëvizjes dhe pjesëmarrjes në tubim/manifestim për të gjithë qytetarët e interesuar.

– Kontrollimi dhe menaxhimi i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale.

– Angazhimi i njësiteve policore për riorientim të trafikut në ato rrugë ku mund të ketë ndërprerje të përkohshme të rrugës apo të ndonjë korsie, gjatë kohës së mbajtjes së manifestimit, duke filluar në Graçanicë në orët e mëngjesit dhe pastaj në Gazimestan në mesditë deri në përfundim.

– Përcjellja dhe sigurimi i eskortave dhe grupeve të veçanta sipas itinerarit.

– Njoftimi i qytetarëve përmes fletushkës informuese (në dy gjuhët) me udhëzimet dhe mbarëvajtjen e manifestimit.

– Zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës.