Ferizaj, të rinjtë ndezin qirinj në përkujtim të 18 vjeçares

Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt së bashku me të qytetarë të tjerë të Ferizajt kanë ndezur qirinj sonte në qendër të qytetit në kujtim të vajzës 18 vjeçare e cila u vra dje në rrethana ende të paqarta.

Qyteti i Ferizajt u trondit nga ngjarja e fundit e krimit makabër që ndodhi të dielën në Ferizaj.

Dje në emergjencën e spitalit është sjellë pa shenja jete një vajzë e moshës 18 vjeçare.

Dy persona të dyshuar, pasi kanë sjellë në spital viktimën, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar dje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashar tha sot përmes një konference për media se shumë shpejt pritet arrestimi i të dyshuarit të dytë në lidhje me vrasjen e vajzës 18 vjeçare në Ferizaj.

Nga Prokuroria kanë deklaruar se dyshuari i arrestuar tashmë A.S., ka një aktakuzë aktive të vitit 2013 për tentim vrasje.KALLXO.com ka siguruar kërkesën e paraburgimit ku janë përshkruar dyshimet e para që quan në vrasjen e tashmë të ndjerës, 18-vjeçare M.O.

Një natë më parë, dhuna kishte filluar ndaj viktimës. Motivet sipas prokurorisë ishin xhelozie.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramdan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e kërkesës për paraburgim.

Dosja e prokurorisë së 18 vjeçares thotë tutje se ajo u keqtrajtua dy ditë deri në vdekje.

Sipas prokurorisë, gjatë gjithë kohës në vendngjarje ishte edhe i dyshuari tjetër me inicialet A.S. por i njëjti nuk kishte marrë asnjë veprim.