Ku janë hetimet ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, tregon kryeprokurori

Në një intervistë ekskluzive në “Kallxo Përnime”, kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka treguar se ku janë hetimet ndaj Dardan Krivaqës, të dyshuarit kryesor për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, në gusht të vitit 2021.

Jashari ka treguar se kanë përfunduar të gjitha hetimet sa i përket rastit të Dardan Krivaqës, dhe më së largu brenda këtij muaji do të ngritet aktakuzë ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.

Ai gjithashtu ka shtuar se janë hetuar të gjitha rrethanat e vrasjes së 18 vjeçares.

“Në momenti që e ngrisim aktakuzën do t’iu njoftojmë për të gjitha detajet por aty janë hetuar të gjitha rrethanat edhe jemi siguruar që kjo aktakuzë mos të ketë zbrastira. Vitin e kaluar mediat vazhdimisht kanë shkruar se ka pa neglizhim të prokurorisë e gjykatës nuk qëndron kjo sepse nëse një person ka vuajtur dënimin për lloj lloj veprash penale ne nuk kemi mundësi me arrestua nëse e shohim në qytet pa e kryer një vepër penale i ka vuajtur dënimet për rastet e mëhershme por për rastin e fundit ne nuk kemi pasur asnjë informacion që po ushtronte dhunë ndaj të ndjerës”, theksoi Jashari.

Krivaqa është i dyshuari kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit në gusht të vitit 2021.

Ai dyshohet se në mënyrë mizore, kishte vrarë të ndjerën Marigona Osmani duke ushtruar dhunë psikike dhe fizike derisa ajo kishte ndërruar jetë.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Krivaqa, më 22 gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu (i cili gjendet në paraburgim), kanë kryen këtë vepër penale.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari Krivaqa, për motive të ulëta me dashje, ka ushtruar mizorisht dhunë fizike mbi viktimën, derisa ajo ka ndërruar jetë.

Gjithashtu sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Arbër Sejdiu, më 22 gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër Dardan Krivaqa, ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës dhe me këtë rast i njëjti (Arbër Sejdiu) ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, në vdekjen e të ndjerës.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa ikin në drejtim të panjohur.
Në dosjen e prokurorisë për rastin e vrasjes së 18 vjeçares theksohet se ajo u keqtrajtua mizorisht dy ditë radhazi deri në vdekje.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhej në vendimin e caktimit të paraburgimit për të dyshuarit Krivaqa e Sejdiu.

Sipas dosjes së Prokurorisë, një natë më parë, dhuna fizike dhe psiqike kishte filluar ndaj viktimës nga Krivaqa. Motivet sipas prokurorisë ishin xhelozie. Gjatë gjithë kohës në banesë kishte qenë edhe Arbër Sejdiu por që i njëjti nuk kishte marrë asnjë veprim, por i njëjti dyshohet se kishte marrë pjesë në dhunën psiqike e fizike ndaj viktimës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Dardan Krivaqa, më 22 gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu, kanë kryen veprën penale ‘Vrasja e rëndë’.

18-vjeçarja, Marigona Osmani e cila u dërgua pa shenja jete në emërgjencën e Spitalit të Ferizajt, u varros më 24 gusht, ditën kur u arrestua edhe personi i dytë që dyshohet se vrau atë.

Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, sipas evidencave të Gjykatës Themelore të Ferizajt ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë plotë 9 herë.