Ministria lë pa mbështetje Festivalin e Teatrove në Ferizaj, reagojnë organizatorët

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk e ka mbështetur mbajtjen e edicionit të 53-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj (FTF), i cili është planifikuar të mbahet nga 27 gushti deri më 4 shtator 2023.

Pavarësisht shumës së majme prej rreth 2.8 milionë euro që këtë viti u nda për të mbështetur projektet kulturore dhe të trashëgimisë të OJQ-ve, MKRS nuk e pa të udhës që të ndajë mjete edhe për FTF-në.

FTF është festivali më jetëgjatë dhe më kryesori i teatrit në vend.

Përmes një reagimi, organizatorët e FTF-së e kanë konsideruar të paimagjinueshme mosmbështetjen e festivalit sipas tyre më të rëndësishëm mbarëkombëtar të teatrit.

Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për mospërmbushje të kritereve të vëna nga MKRS për mbështetje të projekteve të OJQ-ve.

FTF ishe në listën e OJQ-ve të refuzuara pasi, sipas MKRS, nuk e kishte plotësuare kriterin e veçantë- Kategoria 1; pika 4, të thirrjes publike për mbështetje të projekteve “Art dhe Trashëgimi Kulturore”.

Por, Besim Ugzmajli, drejtor artistik i FTF-së, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se FTF e ka plotësuar edhe kushtin e qarkullimit vjetor të kërkuar për mbështetje, që sipas listës preliminare të MKRS-së nuk ishte plotësuar.

“FTF e vetme nuk e ka shumën e qarkullimit vjetor dyfishin e shumës së kërkuar në MKRS, por, meqë organizohet në partneritet me Teatrin ‘Adriana Abdullahu’ këtë shumë e arrin, duke plotësuar edhe kriterin”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se vërejtjet e MKRS nuk qëndrojnë dhe kanë bërë ankesë pas publikimit të listës preliminare të mbështetjes, por nuk janë përkrahur edhe pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga thirrja për mbështetje të projekteve të OJQ në kulturë dhe trashëgimi kulturore.

Fondacioni “Festivali i Teatrove në Ferizaj” ka kërkuar rreth 90 mijë euro nga MKRS për organizimin  e edicionit të 53-të të FTF-së.

Ugzmajli ka thënë se qëllimi ishte që FTF të mos jetë vetëm një event vjetor prej disa ditëve, por që të kishte aktivitete të ndryshme gjatë gjithë vitit e që do të kulmonin me mbajtjen e Festivalit të Teatrove.

“Pra, aty brenda ka qenë shkolla e artit, shfaqjet për fëmijë, prodhim të shfaqjeve të caktuara me tema të ndryshme që lidhen me Ferizajn. Ne si Fondacion i Festivalit të Teatrove kemi menduar që të ketë aktivitet tërëvjetor, jo vetëm në mbajtjen e festivalit pasi e kemi si jo të mjaftueshme për një traditë 53-vjeçare”- ka thënë Ugzmajli.

Ai shpreson se FTF do të mbahet sipas datave të planifikuara me mjete e pakta të siguruar nga Komuna e Ferizajt dhe me mirëkuptimin e teatrove pjesëmarrëse në festival të cilat do të ndihmonin mbajtjen e festivalit.

MKRS nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me mosmbështetjen e organizimit të FTF-së për 2023, pas periudhës së ankimimit.

Të premten e kaluar, më 30 qershor, MKRS publikoi listën përfundimtare të projekteve të mbështetura për këtë vit në art dhe trashëgimi kulturore.