Fatmir Rexhepi: I kam kërkuar Isa Mustafës të largohet nga LDK për shkaqe shëndetësore

Deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi në një intervistë për emisionin ‘IMAZH’ në RTK ka rrëfyer se i ka kërkuar kryetarit të LDK-së që të shqyrtojë mundësinë për t`u tërhequr nga lidershipi i partisë.

Sipas tij, Mustafa duhet të largohet nga LDK për shkaqe shëndetësore.

“Unë si Fatmir po mendoj, e që mundem me i hy në hak, por unë i kam kërkuar publikisht profesorit Isa Mustafa, që të shqyrtoj mundësinë që tash kur e kemi jubilenë e LDK-së, më 23 dhjetor, të paralajmëroj që për shkaqe shëndetësore, e në interes të LDK-së, të zgjedhim një lidership të ri”, ishte shprehur Rexhepi të mërkurën në një intervistë në RTK.

Sipas tij, për shkaqe shëndetsore nuk po mund të jetë aktiv në të gjitha takimet.

“Presidenti Rugova e ka udhëheqë LDK-në 16 vjet, presidenti Sejdiu 4 vjet, profesori Mustafa e ka udhëheqë LDK-në 10 vjet, por që për shkaqe shëndetësore s’po mundet me shku nëpër aktivitete, në degë, në nëndegë, takime”, tha Mustafa.

Tutje ai ka folur edhe për largimin e Vjosa Osmani nga LDK.

Rexhepi ka treguar se e vlerëson Vjosa Osmanin si politikane, derisa ka thënë se do ta votonte për presidente në rast se mandatohet.

Rexhepi ka treguar se edhe për të ka propozime për të shqyrtohet pozicioni i tij në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

“Edhe mua më ka provokuar lideri i LDK-së, i ka propozuar Këshillit të Përgjithshëm, që në Kuvendin e ardhshëm të LDK-së, ta shqyrton pozicionin e deputetit Fatmir Rexhepi se a duhet të largohet nga Këshilli i Përgjithshëm”, u shpreh Rexhepi.

Fatmir Rexhepi ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës për disa mandate, derisa për një kohë kishte qenë edhe ministër i Punëve të Brendshme. Ai kishte dhënë dorëheqje pas protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, ku mbetën të vdekur 2 protestues.