Ilustrim

Familjes së policit të vdekur prej COVID-19 i refuzohet ankesa për pension

Komisioni për ankesa i Policisë së Kosovës, ka refuzuar ankesën e avokatit Meshari Selimaj në lidhje me vendimin e Policisë së Kosovës për pension për familjen e policit të vdekur nga COVID-19.

Ilir Gjokaj, polic në Gjakovë vdiq në korrik të këtij viti pasi ishte diagnostifikuar me COVID-19.

Pas vdekjes së tij, Policia e Kosovës ka marrë vendim dhe vdekjen e zyrtarit policor e kanë kategorizuar si “vdekje në detyrë”.

Sipas Ligjit për Policinë e Kosovës, ky kategorizim i zyrtarit policor ”Vdekje në Detyrë” nënkupton se bashkëshortja e tani të ndjerit dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare, kanë të drejtën në pension familjar deri në vlerën 60% të pagës bruto.

Mirëpo, familjarët të ndjerit, kanë kërkuar që sipas Ligjit për Policinë e Kosovës i ndjeri të kategorizohet si “I vdekur në kryerje të detyrës, që nënkupton se ata kanë të drejtën në pension familjar deri në vlerën 80% të pagës bruto.

Familja e tani të ndjerit, përmes përfaqësuesit të tyre avokatit Meshar Selimaj, e kishte kundërshtuar me ankesë vendimin e policisë, ankesë e cila është refuzuar si e pa bazuar nga Komisioni për Ankesa i Policisë së Kosovës.

Tani avokati ka treguar për KALLXO.com se do të paraqesë padi ndaj Policisë së Kosovës, për kërkimin e së drejtës së pensionit me 80% të shumës së pagës, nën pretendimin se i njëjti kishte vdekur në kryerjen e detyrës zyrtare si pasojë e infektimit me coronavirus.

Për vdekjen e policit Ilir Gjokaj, pas dyshimit të familjarëve Prokuroria ka hapur një hetim penal për të zbardhur dyshimet se ai nuk kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor.

KALLXO.com kishte mësuar se hetimet janë hapur dhe se dyshimet janë në një bocë të oksigjenit, e cila nuk kishte funksionuar gjatë transportit të policit.

Zyrtari policor i Njësisë së Reagimit të Shpejtë fillimisht ishte shtrirë në Spitalin e Gjakovës, mirëpo pas përkeqësimit të gjendjes së tij ishte transferuar në Klinikën Infektive në QKUK, ku edhe kishte vdekur.