Ilustrim

Dyshime se polici i infektuar me COVID-19 vdiq nga pakujdesia e punonjësve shëndetësorë

Disa ditë pas lajmit se polici nga Gjakova, Ilir Gjokaj, vdiq pasi u diagnostikua me coronavirus, Prokuroria e Gjakovës ka hapur një hetim penal për të zbardhur dyshimet se ai nuk kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor.

KALLXO.com mëson se hetimet tashmë janë hapur dhe dyshimet janë në një bocë të oksigjenit e cila nuk kishte funksionuar gjatë transportit të policit.

Hapja e hetimit është konfirmuar edhe nga drejtori rajonal i policisë, Lumni Graishta.

“Familjarët e tani të ndjerit, policit Ilir Gjokaj kanë hapur rast për trajtim të papërgjegjshëm mjekësor”, ka thënë Graishta për KALLXO.com.

Ai tha se rastin po e hetojnë sektori i Hetimeve Rajonale në bashkëpunim me Prokurorinë janë duke i zhvilluar hetimet për këtë rast.

“Familjaret janë ankuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Në konsultim me prokurorin rasti është iniciuar fillimisht si ”hetim i vdekjes”- tha Graishta për KALLXO.com

Ndërsa, rreth dyshimit të ndaljes së oksigjenit, Graishta tha se hetimet do ti zbardhin të gjitha rrethanat dhe se për momentin nuk mund të konfirmojnë asgjë të tillë.

Në anën tjetër, KALLXO.com mëson se dje është hapur rasti në Prokurorinë e Gjakovës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe prokurorin e çështjes Ali Uka dhe i njëjti ka thënë që rasti ka filluar të hetohet.

“Dje pasdite është hapur rasti në Prokurori, për trajtim të papërgjegjshëm mjekësor. Për momentin nuk mund të japim asnjë informatë sepse rasti tashmë ka filluar të hetohet dhe deri tash kemi marrë vetëm deklaratën e bashkëshortes nga policia”- tha prokurori Uka për KALLXO.com

Uka tha se deri tash kanë pritur kompletimin e dokumentacionit nga ana e Policisë dhe raportin fillestar nga ana e tyre.

Zyrtari policor i Njësisë së Reagimit të Shpejtë- Ilir Gjokaj kishte vdekur si pasojë e infektimit me Coronavirus.

Ai fillimisht ishte shtrirë në Spitali  e Gjakovës, mirëpo pas përkeqësimit të gjendjes së tij ishte transferuar në Klinikën Infektive në QKUK, ku edhe kishte vdekur.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë rast.

 

https://kallxo.com/lajm/polici-i-njesise-speciale-ne-gjakove-i-cili-vdiq-nga-covid-19-ishte-vetem-39-vjec/