Eurodeputeti Reuten: Fillimi i takimit të nesërm me masa në fuqi kundër Kosovës, nuk është i balancuar dhe as i drejtë

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, vlerëson se fillimi i takimit të kësaj jave mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me masa kundër Kosovës ende në fuqi, nuk është as i balancuar dhe as i drejtë.

Në një bisedë me KALLXO.com, Reuten thotë se për të vazhduar drejt me zgjedhje të reja komunale në veri, masat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë.

“Kosova ka punuar në përmbushjen e kushteve të kërkuara më 3 qershor nga BE-ja, natyrisht duke respektuar ligjet përkatëse. Nuk kemi luksin të humbim më kohë. Për të ecur drejt, ndër të tjera, zgjedhjet e reja komunale, masat ndëshkuese të BE-së duhet të hiqen menjëherë. Fillimi i takimit më 14 shtator me masat kundër Kosovës ende në fuqi nuk është as i balancuar dhe as i drejtë dhe nuk do të çojë në përparimin e nevojshëm urgjent në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”- tha Reuten për KALLXO.com.

Eurodeputeti thekson se edhe pse gjetja e zgjidhjeve të qëndrueshme në dialogun Beograd-Prishtinë kërkon përpjekje nga të dyja palët, sipas tij, barra kohëve të fundit u vendos shumë në anën e Prishtinës “në krahasim me qasjen gabimisht qetësuese të BE-së ndaj Beogradit”.

“Kjo është arsyeja pse ne menduam se ishte e rëndësishme të theksohej rëndësia e një qasjeje të ekuilibruar dhe proporcionale në letrën tonë të përbashkët të fillim gushtit”- shtoi ai.

Deputeti i grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve ne Parlamentin Evropian, shpreson që letra që u dërgua nga ana e disa personaliteteve ndërkombëtare, nënshkrues i së cilës ishte edhe vetë Reuten, të ndihmojë BE-në, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe,  të kuptojnë se nevojitet urgjentisht një qasje tjetër në dialog.

“Unë sinqerisht shpresoj se letra që dërguam me deputetë të shumtë dhe kryetarë të komisioneve të punëve të jashtme do të ndihmojë në çuarjen e dialogut dhe gjithashtu do të ndihmojë BE-në, Britaninë e Madhe dhe SHBA-në të kuptojnë se nevojitet urgjentisht një qasje tjetër. Ne jemi ende në pritje të një përgjigje”- tha Reuten.

Eurodeputeti konsideron se duhet të punojnë drejtë një të ardhmeje në BE për të dyja vendet, në vend të asaj që siç tha Reuten “ të mbajmë gjallë konfliktet e së shkuarës”.

“Ne duhet të fillojmë të punojmë drejt një të ardhmeje në BE për të dyja vendet, në vend që të mbajmë gjallë konfliktet e së shkuarës. Shpresoj se takimi i së enjtes do të rezultojë në një pikënisje të re për t’u ndërtuar”- përfundon Reuten.

Takimi i 14 shtatorit, është i pari që po realizohet mes Kurtit dhe Vuçiqit prej rritjes së tensioneve në veri, qysh në fund të majit.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua më 2 maj të këtij viti.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut po hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Për shkak të tensioneve në veri, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

Kryetarët e katër komunave në veri të vendiit u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE dhe SHBA kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet, përderisa palës kosovare i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq asaj serbe që të sigurojnë që serbët të marrin pjesë në votime.

Në gusht të këtij viti, Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns pati publikuar letrën të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

Kjo letër iu dërgua shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, diplomatit britanik, James Cleverly.

Në letër është kërkuar “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën dhe Serbinë”, teksa është theksuar se “Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

Në fund të qershorit, BE- kishte vendosur disa masa për Kosovën për shkak të mosmarrjes së veprimeve për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët ishin kërkuar në fillim të qershorit nga përfaqësusi i lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.

Nga vitit 2011, Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve.

Ndonëse palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.