Eurodeputeti holandez i shkruan KE-së: Vuçiq përdor BE-në si 'bankomat' dhe refuzon të nënshkruajë marrëveshje

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, thotë se i ka dërguar pyetje Komisionit Evropian (KE) për të shpjeguar “politikën e pakuptueshme të Serbisë”.

Sepse sipas Reuten, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, është duke e shfrytëzuar BE-në si “një bankomat në të cilën merr para dhe në fund refuzon nënshkrimin e marrëveshjeve”.

“Sot e pyeta Komisionin Evropianin, për të shpjeguar politikën e saj të pakuptueshme të Serbisë. Vuçiq përdor Bashkimin Evropian si bankomat të tij, pastaj kthehet dhe refuzon të nënshkruajë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja me Republikën e Kosovës”- ka shkruar ai.

“Ndaloni këtë financim vetëshkatërrues të obstruksionizmit të Vuçiqit”- shtoi eurodeputeti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjëherë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Qëndrimin e ka shpalosur vetëm dy ditë pasi ndërmjetësi Joseph Borrell tha se ai dhe kryeministri Albin Kurti janë dakorduar rreth Planit evropian, i cili mes të tjerash parasheh që “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.