EULEX: Nuk jemi përgjegjës për ndalimin e Dejan Pantiq, po shqyrtojmë ndihmën për transferimin e tij

Misioni ndërkombëtar EULEX ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com se nuk janë përgjegjës për ndalimin e ish- policit Dejan Pantiq por që janë duke shqyrtuar mundësinë t’u ndihmojnë autoriteteve në Kosovë transferimin e tij.

Këtë deklaratë misioni e dha kur u pyet nga KALLXO.com për përgjigjen ndaj autoriteteve kosovare karshi kërkesës për ndihmë që Pantiq të transferohej nga Jarinja në qendër të paraburgimit.

“Duke pasur parasysh faktin se EULEX-i nuk është përgjegjës për ndalimin e PD-së, Misioni po shqyrton nëse mund t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në transferimin e PD-së në përputhje me mandatin e tij dhe legjislacionin e Kosovës”- thuhet në përgjigjen e EULEX.

Ish- zyrtari policor i cili u arrestua nën dyshimet për sulme që ndërlidhen me terrorizëm dhe sulm ndaj rendit kushtetues, Dejan Pantiq, tash e 12 ditë gjendet nën masën e paraburgimit dhe këtë masë po e mban në stacionin policor në Jarinje.

Të njëjtit i janë kryer ekzaminimet mjekësore nga një mjek i EULEX-it.

“Pas kërkesës së gjyqtarit të procedurës paraprake, një mjek i EULEX-it ka kryer ekzaminimin paraprak mjekësor të D. P. Raporti i është dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake”- thotë tutje përgjigja e EULEX për KALLXO.com.

Të njëjtit kanë thënë se po monitorojnë nga afër rastin e ish- policit Pantiq, për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet e Kosovës.

“Përveç Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, EULEX-i është në kontakt edhe me avokatin e D.P. Misioni është takuar edhe me Avokatin e Popullit, si mekanizëm i Kosovës për parandalimin e torturës i mandatuar për të kryer vizita të rregullta”- vazhdon përgjigja e tyre.

EULEX ka ritheksuar në fund të përgjigjes për KALLXO.com se është e rëndësishme që të drejtat themelore të Pantiq të respektohen në përputhje me ligjin.

EULEX: Autoritetet kosovare kërkuan lehtësimin e transferimit të Dejan Pantiqit