Era ia heq kulmin shkollës në Carrallukë të Malishevës

Mot me erëra sot është duke mbizotëruar në të gjithë Kosovën.

Si rrjedhojë, erëra të lehta ja kanë hequr kulmin shkollës fillore “Imer Krasniqi” në fshatin Carallukë të Malishevës.

Duke publikuar fotografi në Facebook ka reaguar edhe asambilsti i lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

Alban Krasniqi me anë të reagimi ka thënë se kjo shkollë është ndërtuar në vitin 2015 dhe nuk ka pasur pranim teknik të punëve të kryera.

“Sot , pra pas 4 vitesh një frymë e lehtë ia heq edhe kulmin, shenjë kjo e punëve të dobëta si pasojë e përqindjeve në tenderë që aplikon Nisma, derisa shumica e kompanive që marrin punë gjithashtu janë të lidhura me këtë parti( Durimi, Veseli, Haxhiu, Sinani ing etj)”, ka shkruar Krasniqi.

“Anash shkollës gjenden ca rrethoja të hekurta të vendosur gjatë qeverisjes së PDKsë së Isni Kilajt në emër të fushës sportive që kurrë nuk u ndërtua por paratë i mori dikush. Edhe Ragipi edhe Isniu edhe partitë e tyre kogja e mbushin gojën me UÇK dhe dëshmorë por se çfarë kanë bërë në emër të tyre e kemi parë këto vite”, ka vazhduar tutje ai.

Më tej Krasniqi ka thënë se sikurse shkolla, pranim teknik nuk ka as muzeu i qytetit të Malishevës, i cili mbanë emrin e dëshmorit ‘Jahir Mazreku’, duke shtuar se është ndërtuar në qeverisjen e Hisni Kilajt nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Njëjtë edhe muzeu i qytetit në Malishevë që mban emrin e dëshmorit Jahir Mazreku i ndërtuar nga qeverisja Kilaj e PDK-së, nuk ka pranim teknik, nuk ka rrymë, muret janë çarë, kulmi i pat rënë në tokë. Çka të flitet më shumë për ata që vodhën e rrjepën në emër të luftës dhe të dëshmorëve. Andaj, çirrjet e tyre sot janë ulërima të hijenave që u është pamundësuar të gjuajnë dhe shqyejnë paranë publike”, ka shkruar ai.