Foto: Spitalii Ferizajt
Emërohet u.d. drejtori i Spitalit të Ferizajt
Fikret Arifi është emëruar ushtrues detyre i Drejtorit në Spitalin e Ferizajt, pas më shumë se 5 javësh nga dorëheqja e udhëheqësit paraprak.
Ky emërim është bërë më 08.03.2024 nga Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Konkursi për drejtor të Spitalit të Ferizajt dhe të spitaleve në Mitrovicë e Gjakovë është hapur më 09.02.2024.
Arifi që me profesion është pediatër është ushtruesi i detyrës i katërti me radhë në këtë institucion, i cili nuk ka pasur drejtor të rregullt që dy vjet e gjysmë, që nga 06.08.2021.
SHSKUK pati konfirmuar dorëheqjen e ish u.d. Drejtorit, Selajdin Sallahu më 31.01.2024.
Pas përfundimit të kontratës së ish-drejtorit, Jeton Zeqiri, ushtrues detyre i drejtorit në Spitalin e Ferizajt ishte emëruar Halit Gërbeshi, më 06.08.2021. Gërbeshi ishte arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, prandaj ishte larguar përkohësisht nga puna. Në vend të tij, ishte emëruar Isa Berisha, i cili pati dhënë dorëheqje në shtator të vitit 2022. Edhe pasardhësi i tij, Selajdin Sallahu dha dorëheqje pas një viti e katër muajsh udhëheqje.