Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

U arrestua për keqpërdorim të detyrës, largohet përkohësisht nga puna drejtori i Spitalit të Ferizajt

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se ka larguar përkohësisht nga puna, ushtruesin e detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Halit Gërbeshin, pasi që i njëjti sot u arrestua nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gërbeshi është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Ferizajt, pasi që dyshohet se ka furnizuar me derivate veturën e tij private, me paratë e Spitalit.

“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës informon opinionin se pas njoftimit për ndalimin e Dr. Halit Gërbeshit – U.D. Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj prej 48 orësh nga Prokuria Themelore e Ferizajt, i njëjti është larguar përkohësisht nga puna, komfor legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Sipas këtij njoftimi, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të Spitalit të Ferizajt, do t’i kryejë drejtori mjekësor i spitalit.

Sipas komunikatës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, i dyshuari ka furnizuar veturën e tij private me derivate të naftës në kuadër të tenderit të paraparë për Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.

Me këtë rast, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.