Spitali i Ferizajt, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Jep dorëheqje U.d drejtori i Spitalit të Ferizajt

Ka dhënë dorëheqje ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, Isa Berisha.

Kështu ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Sipas këtij institucioni, ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, ka aprovuar dorëheqjen e Berishës.

Kurse, ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Ferizajt është caktuar Selajdin Sallahu.

“U.d. drejtoresha Zejnullahu- Raçi, ka mbajtur një takim të përbashkët, duke falënderuar Dr. Berishën për punën e deritanishme në menaxhim të Spitalit të Ferizajt, kurse Dr.Sallahut i ka ofruar përkrahje nga ShSKUK dhe suksese në menaxhim të Spitalit të Ferizajt”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

I pyetur nga KALLXO.com për arsyen e dorëheqjes nga kjo pozitë, Isa Berisha ka thënë se këtë e ka bërë për arsye personale.

“Unë edhe kur e kam pranu atëherë pozitën, kanë qenë kushtet pak të papërshtatshme. Konkursi ka qenë i hapur për drejtor, edhe e kam pranu se kam qenë në pozitën e zëvendësdrejtorit në atë kohë dhe me automatizëm më ka kalu pozita mu, deri në momentin që përfundon konkursi dhe të zgjedhet drejtori i ri”- tha ai.

Sipas tij kjo pozitë si ushtrues detyre zgjati shumë dhe ai nuk ka qenë i interesuar për këtë pozitë.