Foto ilustruese: Pixabay

Ekzekutohen pagesat për disa përfitues të masave nga Parko Emergjente e Qeverisë

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se sot Ministria ka ekzekutuar pagesat për masën 3A, për 7 mijë e 241 përfitues.

Sipas njoftimit të ministres Bajrami, shuma e paguar për këta përfitues  është 1,230,970.00 euro.

“Gjithashtu, kemi përfunduar ekzekutimin e pagesës për masën 3b-subvencionimi i qirasë deri 50%, për 4191 përfitues me shumë totale 1,354,601.81 EUR”, thuhet në njoftimin e ministres.

Po ashtu, sipas ministres Bajrami, në proces të finalizimit është edhe një listë tjetër me gjithsej 454 përfitues, nga masa 3A me shumë totale prej 900,235.64 euro.

Përfituesit e masës 3A janë punëtorët në sektorin privat që në kohën e pandemisë, për shkak të masave të Qeverisë, kanë mbetur pa punë.

Ndërsa përfituesit e masës 3B, janë punëtorët që kanë punuar në sektorin e prodhimit e përpunimit, e qeveria ka marrë përsipër subvencionimin e pagës deri në 50%, për një periudhë maksimale prej 9 muajsh.