Ekskluzive: Legjenda e futbollit holandez, Marco Van Basten, mund ta drejtojë kombëtaren e Kosovës
Federata e Futbollit e Kosovës është në kërkim të një trajneri të ri pas shkarkimit të Bernard Challandes.
Kosovën në dy ndeshjet e fundit e udhëhoqi trajneri slloven Primozh Gliha.
Sipas burimeve të KALLXO.com, Federata e Futbollit e Kosovës do t’i nisë bisedimet me legjendën holandeze Marco van Basten.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një bisedë për KALLXO.com, ka thënë fillimisht se ka shumë trajnerë të interesuar për ta marrë drejtimin e Kosovës.
“Ka shumë emra që kanë dërgu CV-të e tyre, nuk do të ketë emër të ndonjë trajneri, ne do të bisedojmë me të gjithë që kanë interes për ta marr drejtimin e kombëtares tonë, por do të zgjedhim opsionin më të mirë të mundur”, ka thënë fillimisht Ademi.
Kallxo.com e ka pyetur se a është edhe si opsion edhe emri i Marco van Basten. Ai e ka pranuar duke thënë se ka edhe emra të tjerë: “edhe shumë emra tjerë”, ka konfirmuar i pari i FFK-së.
57-vjeçari Marco van Basten është trajner i lirë dhe nuk është i angazhuar me asnjë ekip apo kombëtare.
Marco van Basten e ka drejtuar Kombëtaren e Holandës nga viti 2004 deri në vitin 2008, po ashtu ka qenë trajner i skuadrave holandeze si Ajax, Heerneveen dhe Az Alkmaar.
Holandezi nga viti 2015 nuk është duke drejtuar asnjë skuadër pas largimit nga AZ Alkmaar.
Angazhimi i fundit i Basten te Holanda ka qenë nga viti 2015 deri në vitin 2016 si asistent i trajnerit.
Ai po ashtu nga viti 2016 deri në vitin 2018 ka qenë drejtor teknik në FIFA. Nga viti 2018 nuk është i angazhuar askund ish-futbollisti i Milanit.