Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ekrem Hajdari: Për dy vjet sa isha drejtor i AKP-së inkasuam nga qiratë sa ishin mbledhur për 13 vite

Komisioni hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka intervistuar Ekrem Hajdarin, ish- drejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Hajdari ka treguar se edhe pse e kishte mandatin 3-vjeçar ai është shkarkuar kur i ka mbushur 2 vjet e 5 muaj në pozitë.

Anëtari i Komisionit nga LVV-ja, Hekuran Murati, e ka pyetur të intervistuarin se nga kush kanë ardhur presionet apo sugjerimet për ta liruar detyrën.

“Pse ishte kjo nguti e nxitim që të shkarkoheshit? Ju e përmendët që ka pasë grupe të interesit… Pasuesi juaj ishte Valon Tolaj, që ishte eksponenti i mëhershëm i AAK… A ka të bëjë kjo diçka me këtë çështje emërimi i z. Tolaj si pasues i juaj?”, tha ai.

Hajdari tha se në këtë periudhë kohore është e vështirë që të analizohet kjo çështje. Ai tha se mund të “spekuloj” që me gjasë ka qenë qëllim që pas largimit të tij të vijë Valon Tolaj. Ai shtoi se  ka pasur presion nga grupe të ndryshme të interesit për largimin e tij e jo nga partitë politike.

“Edhe unë mund të spekuloj që me gjasë ka qenë qëllim kjo që pas largimit tim, shkarkimit tim, të vijë dikush që qoftë bordi apo grupet e interesit do ta shihnin si më të përshtatshëm”, tha Hajdari.

Ekrem Hajdari tha se pas shkarkimit të tij anëtari i komisionit, Petrit Gashi, ka dhënë dorëheqje pasi ka qenë i vetmi kundër shkarkimit të tij.

Hajdari ka thënë se gjitha objektivat i ka arritur dhe është siguruar dinamikë e re e procesit të privatizimit. “Është ngrit niveli i transparencës, përafrimi i komunitetit të bizneseve”, shtoi ai.

Tutje, ai ka bërë me dije që nuk ka qenë kurrë anëtar i ndonjë partie politike.

Gjithashtu, ai ka thënë se sa ishte në qeverisje Isa Mustafa ka pasur dallim nga qeverisja e Ramush Haradinajt se si i janë qasur.

“Gjenerata e ministrave të qeverisë Mustafa për mua personalisht, background-in, eksperiencën dhe punën time e kanë njohur mirë. Kur më janë qasur për komunikim e kanë pasë një konsideratë tjetër. Përderisa tek qeveria qasja e z. Haradinaj ka qenë ndryshe edhe ai ka pasë dinamikë tjetër, mua personalisht nuk më ka njohur nga e kaluara dhe këtu dallon, nuk mund të them as mirë as keq”, shtoi ai.

I pyetur nga kryetari i Komisionit, Harullah Çeku, se nëse nuk do të ndërrohej Qeveria a do të shkarkohej, Hajdari tha se beson që nuk do të shkarkohej.

Hajdari ka folur edhe për rregulloren për negocim direkt që sipas tij është funksionalizuar në periudhën sa ai ka qenë drejtor.

Ai ka shtuar se si qëllim kryesor ka qenë trajtimi i lëndëve specifike e që për të, sipas tij, kanë qenë me prioritet të lartë shtëpitë private të shumta gjithandej territorit të Republikës së Kosovës.

Ekrem Hajdari tha se në kuadër të angazhimit të tij ka qenë edhe qiradhënia.

Ai tha se ka parë që një numër i madh i aseteve kyçe nëpër qendra të qyteteve të Kosovës kanë qenë paksa të nënvlerësuara në qira.

“Në 2016 përveç lirimit total të të gjitha aseteve të uzurpuara ne e kemi bërë edhe rishikimin e qirave dhe kemi pasë ngritje të jashtëzakonshme të inkasimit të qirasë. Më 2017 kemi pasë një dyfishim të qirasë. Në vitin 2016 kemi inkasu 6.1 milionë euro përderisa në 2017 afër 7 milionë. Këto 13 milionë për dy vite kanë qenë thuajse 50 përqindëshi i inkasimit total prej themelimit e deri në atë kohë”, tha ai.

Sipas Hajdarit, 14 milionë janë inkasuar prej vitit 2003 – 2015 përderisa për dy vite janë inkasuar të tjerat.

Hajdari pas kërkesës së deputetit të LDK-së, Shkumbin Gashi, për të ditur pagën e tij tha se paga ka qenë rreth 4 mijë e 500 euro e nivelit të tij. Ai shtoi se me gjasë edhe drejtori paraprak e kishte këtë pagë e cila ka variuar edhe nga përvoja e punës.

“Ka qenë njësoj edhe drejtori paraprak ka pasë me gjasë të njëjtën. Ka mujtë me variu edhe nga përvoja”, shtoi ai.

Komisioni në rend dite e kishte edhe intervistimin e Mrika Tahirit, ish-drejtoreshë menaxhuese, por kryetari i Komisionit, Hajrullah Çeku, tha se nuk kanë marrë përgjigje nga ajo.

“Nuk kemi asnjë përgjigje nga zonja Mrika Tahiri e ftuar për të dytën herë radhazi për të ardhur në dëshmi, zonja Tahiri nuk jeton në Kosovë por ne kemi dërguar ftesë për dëshmi përmes e-mailit dhe nuk kemi marrë përgjigje deri sot”, tha Çeku.

Arifi: Privatizimet kanë qenë një dhimbje për punëtorët