Foto: Richard Grenell /Instagram

Edward Joseph thotë se në Uashington u diskutua ndarja e Kosovës, Thaçi e Grenell e mohojnë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka reaguar profesorit amerikan Edward Joseph, i cili ka thënë se në Uashington është diskutuar ndarja e Kosovës. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Të dy këta i kanë cilësuar deklaratat lajme të rreme.

“Eshtë zhgënjyese të shohësh se si disa analistë mund të krijojnë me lehtësi planet e tyre trilluese (shkëmbim tokash, ndarje, autonomi) dhe t’ua atribuojnë atyre që po përpiqen të bëjnë një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë. Përhapja e planeve dhe lajmeve të rreme nuk e ndihmojnë procesin”, ka shkruar Thaçi.

Javën e kaluar, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar në Shtëpinë e Bardhë me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, në praninë e Këshilltarit të Presidentit Trump për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien dhe emisarit amerikan për dialogun Kosovë- Serbi, ambasadorit Richard Grenell.

Thaçi u shpreh se ky takim shënon kthimin e fuqishëm të ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, por pa dhënë detaje tjera, ka mohuar se në atë takim është arritur ndonjë marrëveshje mes të dyja vendeve.

Ndërkaq, së fundi, profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan Edward Joseph ka thënë se qëllimi i takimit në Uashington ishte të diskutohej një marrëveshje dy palëshe e bazuar në parimin e ndarjes së Kosovës.

Këto deklarata, Joseph i ka dhënë në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Joseph, është shprehur i bindur që zgjidhja e mosmarrëveshjes mes dy palëve po shkon ndërmjet ndryshimeve, për të cilat Thaçi dhe Vuqiç pretendojnë se ishin pajtuar tashmë gjatë një dialogu të ndërmjetësuar nga ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federika Mogerini.

Sidoqoftë, pyetja është, siç thekson analisti amerikan, në favor të kujt do të arrihet një marrëveshje e tillë, Thaçi, Vuqiç dhe Shtetet e Bashkuara ose  nga ana tjetër, shqiptarë dhe serbë që jetojnë në Kosovë dhe Serbi.

Ndaj deklaratave të tij ka reaguar edhe emisari Richard Grenell, duke i quajtur “lajme të rreme”.

“Lajm i rremë. Kjo kurrë nuk është diskutuar në praninë time. Edward Joseph është i pamatur këtu”, ka shkruar Grenel në Twitter.