Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay
E puthi dhe e përkëdheli në gjoks pasagjeren, taksisti dënohet me tetë muaj burgim me kusht
Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me tetë muaj burg me kusht një taksist, pasi që e ka gjetur fajtor për sulm seksual ndaj një pasagjereje.
Në aktgjykim thuhet se viktima e ka thirrur taksin, ku vozitës ka qenë i pandehuri, për ta dërguar në vendin e saj të punës praktike në Mitrovicë, por i pandehuri ka ndërruar drejtimin e rrugës duke shkuar në një lagje tjetër ku ka ndaluar makinën.
Aty, ai i ka thënë viktimës “se iu ka prish automjeti” dhe sipas aktgjykimit, ka dalë në ulësen mbrapa, ku ishte e dëmtuara.
“I pandehuri e tërheq – afron nga vetja duke e kapur në duar dhe ajo i ka thënë lëshomë dhe ka filluar të qajë. I njëjti fillon ta puthë, ta përkëdhel në gjoks dhe në pjesë intime pa dëshirën e saj, më pas e dëmtuara ia arrin që të largohet nga vetura” – thuhet në arsyetimin e vendimit i cili është marrë në prill të vitit 2023.
Rasti thuhet se ka ndodhur më 13 janar të vitit 2023 rreth orës 08:50.
Të akuzuarit me inicialet B. S. i është caktuar dënimi me kusht prej tetë muajsh burgim, nga gjyqtarja Benita Berisha. Prokuror i rastit ka qenë Arjan Xhema.
I pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë.
Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në periudhën njëvjeçare, nuk kryen vepër tjetër penale.
Rrethanë lehtësuese, gjykata e ka vlerësuar faktin se i akuzuari i ka premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do ta shqetësojë të dëmtuarën, sjelljen e tij korrekte gjatë gjithë rrjedhës së procedurës dhe faktin se ai nuk ka qenë më parë i dënuar për vepër penale me aktgjykim të formës së prerë.
Ndërsa, si rrethanë rënduese për të akuzuarin ka vlerësuar shkallën e përgjegjësisë penale, që gjykata ka vërtetuar se i pandehuri ishte i përgjegjshëm dhe përgjegjës për këtë vepër penale, i aftë për t’i kuptuar sjelljet dhe veprimet e tij dhe se veprën penale e kishte kryer me dashje direkte.
Neni 229 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës thotë se kushdo që prek personin tjetër me qëllim seksual ose e cyt personin e tillë të prekë kryesin apo personin tjetër për qëllim seksual, pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të të njëjtit, Gjykatës së Apelit në Prishtinë, e nëpërmjet kësaj gjykate.