Dyshohet se tregtonte në Shqipëri automjete të vjedhura në Greqi, arrestohet 42-vjeçari - VIDEO

Policia e Shtetit ka arrestuar një burrë dhe ka shpallur në kërkim një person tjetër, nën dyshimin se trafikonin në Shqipëri, automjete të vjedhura në Greqi, pasi i pajiste me dokumente false, me qëllim shitjen.

Policia thotë se në cilësi të provave kanë sekuestuar dy automjete të dyshuara të vjedhura tipe “Toyota” dhe “Peugeot”, me vlerë rreth 40,000 euro.

“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se disa shtetas ishin implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit në vendin tonë, të automjeteve të vjedhura, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, finalizuan operacionin policor të koduar “Detect”- thuhet në komunikatë.

Në kuadër të operacionit “Detect”, Policia ka vënë në pranga shtetasin F. M., 42 vjeç, dhe ka shpallur në kërkim shtetasin A. M., 29 vjeç, të dy banues në Sarandë.

Sipas Policisë, nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë trafikuar në Shqipëri, automjete të vjedhura kryesisht në Greqi, duke iu bërë ndryshime në elementet identifikuese dhe duke i pajisur këto automjete, me dokumente false, me qëllim shitjen në Shqipëri.

“Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M., si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Sarandës, vijojnë hetimet me qëllim zbardhjen e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të kenë kryer këta shtetas”- thuhet në njoftim.

Materialet procedurale, Policia njofton se kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.