Pamjet e para, Ushtarët e Kosovës në misionin në Kuvajt

Dy ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë bashkangjitur në mbështetjen e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes 3654 SMC, duke kryer operacione të mirëmbajtjes në Campin Buehring, në Kuvajt.

Për dy vite ushtarët kosovarë janë duke u stërvitur me Gardën Kombëtare të Iowa-s.

Njëri nga ushtarët është Hyjnor Lajqi. Ai thotë se puna të cilën është duke e bërë atje është e ngjashme me punën që bën në FSK.

“Unë jam nga njësia e inxhinierisë, regjimenti i inxhinierisë nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe ne jemi bashkangjitur këtu me 3654 SMC Gardën Kombëtare të Iowa-s. Punën e njëjtë që bëjmë këtu, punën e njëjtë e bëjë në njësinë time në Kosovë”, tregon Hyjnor Lajqi, Mekanik i automjeteve me rrota.

Ndërsa, ushtari tjetër i cili është në të njëjtin vend, e ka konsideruar si mundësi për të mësuar.

“Jam duke mësuar gjëra të reja dhe pata mundësin të jem ndër ushtarët e parë që është transferuar këtu”, ka thënë Mehmet Mehmeti, Mekanik i automjeteve.

Për Matt Snderson rreshter i parë i 3654 SMC ushtarët kosovar janë një aset i shkëlqyeshëm për ekipin amerikan.

“Ata janë një aset i shkëlqyeshëm për ekipin tonë. Ata kanë ardhur në radhët tona ashtu si çdo ushtar tjetër”, ka thënë Sanderson.