Dy kërkimfaljet e Albin Kurtit

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar falje për dy gjëra.

E para, se sot nuk është hequr tarifa 100 për qind për lëndët e para të importuara nga Serbia, dhe e dyta se nuk është respektuar urdhëresa për distancën fizike mes zyrtarëve shtetërorë gjatë mbledhjes së mbrëmshme në Kuvend dhe Qeveri.

Sipas Kurtit, për sot ishte paraparë të hiqej tarifa 100% ndaj lëndës së parë që importohet nga Serbia.

“Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Sa i përket kërkimfaljes së dytë, Kurti ka thënë se gjatë seancës së djeshme të Kuvendit, që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk u respektuan urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona.

“Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020 të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje”, ka theksuar kryeministri.

Reagimi i plotë i Albin Kurtit.

Të nderuar qytetarë,

Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme.

Seanca e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona. Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020 të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje.

Përzemërsisht,

Albin Kurti