Dy grabitës hynë brenda Komunës së Prizrenit

Dy persona të maskuar kanë tentuar të grabisin Administratën e Komunës së Prizrenit.

KALLXO.comm merr vesh se dje rreth orës 02:00 pas mesnate, të dyshuarit kanë arritur të hyjnë në objektin e Administratës së Komunës, që gjendet jo më shumë se 200 metra nga stacioni policor.

Grabitësit kanë thyer një dritare nga jashtë objektit nga ku kanë arritur të hyjnë në Administratën Komunale, ku u ofrohet qytetarëve shërbimi për certifikata dhe shërbime tjera të ngjashme.

Drejtori i Administratës, Osman Hadari për KALLXO.com tha se grabitësit kanë shkaktuar disa dëme të vogla materiale, por nuk kanë arritur të marrin para për të cilat edhe besohet se kanë thyer objektin e administratës.

Për rastin në fjalë është njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe Forenzika, mirëpo deri më tash nuk ka ndonjë informacion se kush mund të kenë qenë grabitësit.

Në administratën  e Komunës së Prizrenit pas disa muajsh renovimesh dhe një investim mbi 1 milion euro, në muajin mars të këtij viti u bë hapja dhe përurimi i qendrës “ One Stop Shop” apo shërbimi me një ndalesë.

Reformimi i Administratës dhe ofrimi i shërbimeve të shpejta, ka qenë njëra ndër premtimet e Komunës së Prizrenit dhe është cilësuar arritje e madhe nga qeverisja.