Dreka e punës e kabinetit të Hotit në Vërmicë që kushtoi mbi 490 euro

Drekat e shtrenjta të kabinetit Hoti, u pagua peshk, biftek e pije alkoolike

Një drekë pune e kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti dhe kabinetit të tij, në Vërmicë të Prizrenit, i kushtoi  buxhetit të Kosovës hiç më pak se 492 euro e 90 centë.

Dreka ishte shtruar nga Zyra e Kryeministrit më 2 gusht të vitit 2020, në njërin nga restorantet në Vërmicë.

KALLXO.com ka siguruar faturat e shpenzimeve të Hotit dhe stafit të tij, nga data 3 qershor  deri më 25 nëntor 2020, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Në drekën e 2 gushtit të vitit të kaluar, ishte paguar mes tjerash edhe për verë të llojit “Shardone”, me vlerë totale 9 euro për tri sosh.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, kabineti i Hotit gjatë vizitës së tij në Komunën e Dragashit, kanë zhvilluar një drekë pune me datë 02.08.2020, sipas faturës së bashkëngjitur.

Foto: KALLXO.com

Paraprakisht në një rast tjetër, por në po të njëjtin restorant, Hoti ka pasur një takim pune, me ç’rast në emër të Zyrës së Kryeministrit janë paguar 231 euro e 30 centë për pije dhe ushqim.

Ky takim ishte mbajtur më 26 qershor të vitit 2020, muaj në të cilin kishte marrë mandatin Qeveria Hoti.

Në faturë tregohet se për këtë shumë janë paguar edhe pije alkoolike si verë dhe birrë, si dhe ushqimet si troftë, levrek, biftek e të tjera.

Nga këto të dhëna, në total i bie se për këto dy dreka Zyra e Kryeministrit pagoi 724 euro e 20 centë.

Foto: KALLXO.com

Për gati gjashtë muaj në krye të Qeverisë, Hoti dhe stafi i tij kanë shpenzuar 32 mijë e 848 euro e 29 centë për mëditje, bileta, dreka, karburant dhe akomodim.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, te drekat zyrtare, vlera prej 15 mijë e 177 euro e 40 centë përfshin shpenzimet për kryeministrin dhe stafin e tij gjatë takimeve brenda vendit.

Ndërkaq, shpenzimet në total tregojnë se Hoti ka shpenzuar 18 mijë e 115 euro e 20 centë për dreka, tek shpenzimet me kredit kartelë, theksohet se për dreka jashtë janë shpenzuar 2 mijë e 947 euro e 82 centë.

Për mëditje Hoti ka shpenzuar 2 mijë e 227 euro 80 centë, për bileta 2 mijë e 773 euro e 38 centë, për karburant 1 mijë e 512 euro, kurse te shpenzimet me kredit kartelë, për akomodim janë harxhuar 5 mijë e 272 euro e 9 centë nga buxheti i shtetit.

KALLXO.com në vijim do të raportojë edhe për detajet e faturave të shpenzimeve të këtyre parave nga ana e kryeministrit në detyrë Avdullah Hotit dhe stafit të tij.

Qeveria Hoti do të vazhdojë të jetë në detyrë deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 14 shkurt, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm votimin e ekzekutivit dhe urdhëroi shkuarjen në zgjedhje.

Avdullah Hoti është kandidat i LDK-së për kryeministër edhe në zgjedhjet e ardhshme.