Ambasadori britanik Nicholas Abbott dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Drejtuesit e institucioneve mirëpresin ambasadorin e ri të Britanisë në Kosovë

Krerët e institucioneve të Kosovës e kanë pritur sot në takime të ndara pasardhësin e ambasadorit të Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, Nicholas Abbott.

Ambassadori Abbott, ka filluar sot zyrtarisht punën si ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, si dhe në takimet e para ka deklaruar se sundimi i ligjit ka qenë dhe mbetet prioritet i Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se ka pranuar sot kredencialet nga ambasadori i ri britanik.

Zyra e Presidentit përmes një komunikate për media, ka theksuar se duke shprehur mirënjohje për përkrahjen që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës gjatë historisë, Thaçi u shpreh se Britania është partner strategjik i Kosovës dhe se liria dhe pavarësia e Kosovës është e lidhur me rolin aktiv të Britanisë së Madhe.

Ndërkaq, siç thuhet në njoftim, Ambasadori Abbott u shpreh se do të vazhdojë të ndërtojë marrëdhëniet e mira, tradicionale, historike, miqësore në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Presidenti Thaçi u shpreh se mbështetja e Britanisë së Madhe mbetet thelbësore edhe në sfidat që i ka përpara Kosova, nga konsolidimi i plotë ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës e deri te anëtarësimi në mekanizmat euro-atlantikë”, thuhet në komunikatë.

Edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot ambasadorin Abbott, të cilin, sipas një njoftimit të legjislativit, e ka njohur me zhvillimet politike në vendin tonë, arritjet e deritashme dhe aspiratat zhvillimore e euro-atlantike.

Veseli citohet të ketë thënë, se populli i Kosovës i është mirënjohës Mbretërisë së Bashkuar për ndihmën e dhënë para dhe gjatë luftës, por edhe për mbështetjen e madhe në procesin e shtetndërtimit.

Ai ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të jetë një aleat i partnerëve perëndimorë dhe mbi këtë partneritet ajo do të rrugëtojë në integrimet euro-atlantike.

Ambasadori Nicholas Abbott dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli

“Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për pritjen e përzemërt dhe u zotua se do të punojë bashkë me institucionet e Kosovës për të thelluar dhe forcuar edhe më shumë lidhjet ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ambasadori britanik gjatë ditës pati takime pune edhe më udhëheqës të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, e pritën në takim ambasadorin Abbott.

Sipas një komunikate të Prokurorisë së Shtetit, Lumezi e ka njoftuar ambasadorin me punën, të arriturat dhe sfidat e Prokurorit të Shtetit në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave të ndryshme penale, si dhe përkushtimin e tij për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Ndër të tjerash, Lumezi ka premtuar hetim dhe ndjekje penale për të gjithë ata persona të cilët e dëmtojnë procesin zgjedhor.

“Ndërkaq, kryesuesi Hyseni e ka njoftuar Ambasadorin Abbott, me punën dhe veprimtarinë e KPK-së, dhe angazhimin e komisioneve të Këshillit në forcimin dhe avancimin e integritetit, profesionalizmit, llogaridhënies, transparencës dhe pavarësisë së sistemit prokurorial, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, ambasadori i ri, Nicholas Abbott, thuhet se ka ofruar mbështetje për të përmirësuar sistemin prokurorial dhe ka deklaruar se sundimi i ligjit ka qenë dhe mbetet prioritet i Mbretërisë së Bashkuar.

 

Ambasadori britanik Nicholas Abbott, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi dhe kryesuesi i KPK-së Bahri Hyseni

“Të dy krerët e sistemit prokurorial dhe Ambasadori Britanik kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit, për rritjen e transparencës dhe integritetit ndërmjet institucioneve të Prokurorit të Shtetit, Këshillit Prokurorial dhe Ambasadës Britanike në Kosovë në vazhdimin e projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, vijon komunikata.