Kaplohet nga zjarri ish-Gjimnazi i Ferizajt, dje kishte filluar renovimi (FOTO)

Objekti i ish-gjimnazit në Ferizaj është përfshirë nga një zjarr i madh në mëngjesin e sotëm.

Kështu ka bërë të ditur Komuna e Ferizajt përmes një njoftimi për media.

Sipas komunikatës, objekt ky që përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore, ka pësuar dëme të mëdha në gjithë objektin nga zjarri.

Siç njoftojnë, pikërisht dje më 13 mars, nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nisën ndërhyrjet e para për renovimin e tërësishëm të objektit.

“Komuna e Ferizajt, përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Shërbimit të Zjarrfikjes, me të marr informatën, ka dalur në vendngjarje duke ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme, me gjithë kapacitetin e plotë, për të shuar zjarrin. Komuna e Ferizajt, kërkon nga organet hetimore, organet e ndjekjes dhe gjyqësore që të zhvilloj hetim të tërësishëm të rastit dhe që shkaktarët e zjarrit të bëhen publike për qytetarët”- thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tyre, ky objekt përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore të Ferizajt, andaj shtojnë se si Komunë me gjithë kapacitetin e saj e kompetencën ligjore, “do ta mbroj këtë objekt për t’ja ofruar publikut, pas punës restauruese që do të ndodh në këtë objekt”.