Drejtori i QKMF-së në Gjilan të jep dorëheqje pasi u infektua me COVID-19

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, Fejzullah Berisha, ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit në këtë qendër.

Ish- drejtori Berisha ka thënë se është infektuar me coronavirus dhe për shkak të gjendjes së tij shëndetësore është detyruar të japë dorëheqje.

“Kam dhënë dorëheqje sepse jam me virus COVID-19 dhe jam qe tre javë në gjendje të rëndë. Nuk kam pasur më mundësi me u kthy për shkak të gjendjes shëndetësore që është kriju tek unë”, tha Berisha për KALLXO.com.

Ai tutje theksoi se gjendja e tij është duke u përmirësuar dhe se trajtimin për coronavirus është duke e marrë edhe në Spitalin Rajonal të Gjilanit por edhe në shtëpi.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorin e Shëndetësisë, Selami Xhemaili, në lidhje me këtë dorëheqje.

“Ai ka kërkuar lirim nga detyra ashtu na ka ardhur arsyetimi i tij me shkrim është i prekur me COVID është në fazën e shërimit ka kërkuar lirim nga pozita e drejtorit të QKMF-së”, tha drejtori.

Xhemaili tha se në kërkesën e tij për dorëheqje nuk ka pas më shumë detaje pse është duke dhënë dorëheqje.